“Ky, mandati i Pogradecit”/ Ndërhyrje shumë të rëndësishme si në qytet dhe në fshat

TIRANË, 19 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot “se ky mandat do të jetë mandati i Pogradecit”.

“Pogradeci shpeshherë e sheh pak veten ndonjë hap prapa, mbase dhe më shumë në raport me Korçën që ka pësuar një zhvillim bombastik këto vite dhe është bërë shembëlltyra e transformimit për shumë të tjerë, por nga ana tjetër unë dëshiroj që këtë ju ta shihni pozitivisht”, iu drejtua Rama banorëve të Pogradecit.

Rama tha se “në Korçë kemi bërë shumë, do vazhdojmë të bëjmë, se ka akoma punë për të bërë, por ky mandat do të jetë detyrimisht mandati i Pogradecit”.

“Tani jemi gati për të bërë disa ndërhyrje shumë të rëndësishme në Pogradec, si në qytet dhe në fshat, që lidhen me strategjinë e përgjithshme të zhvillimit të këtij qarku dhe me strategjinë tonë kombëtare për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit”, tha Rama.

Rama tha se, “ne jemi gati tani t’i hapim Shqipërisë 4 porta nga qielli dhe 4 porta nga deti për të sjellë udhëtarë dhe turistë nga mbarë bota në numra të shumëfishuar dhe për t’u kthyer jo vetëm në kampionë të Ballkanit në turizëm, por në një vend që hyn në ligën e kampionëve të Europës në turizëm”.

“Kjo nuk është thjesht një fjalë e thënë nga dëshira, por ajo që kemi para bazuar te projekte që kemi gati, te çfarë do bëjmë ende. Dje e hapëm aeroportin e Kukësit për të cilin thuajse askush nuk e besonte se do të ndodhte. Sot Shqipëria ka dy aeroporte, por jemi ende në fillim të këtij procesi transformues, sepse ndërkohë kemi një investim të rëndësishëm për aeroportin e Tiranës ku do të zgjerojmë pistën dhe ndërtojmë terminalin e ri, që të realizojmë ambicien që shqiptarët të venë e vijnë nga Nju-Jorku me ‘Fan Nolin’. Do nënshkruajmë për aeroportin e Vlorës menjëherë dhe do hapim garën për aeroportin e Sarandës”, tha Rama.

Po ashtu ai theksoi se “jemi në fazën e fundit të përgatitjes dhe brenda qershorit fillojmë punën me kantierin e madh të portit turistik të Durrësit, që do të jetë më i madhi i Mesdheut”.

“Në Sarandë ka nisur puna për portin e ri turistik, në Vlorë nis puna, pasi projekti ka përfunduar, dhe brenda 2023 nisim punë edhe në portin e ri të Shëngjinit”, tha Rama.

Ai theksoi se janë 8 porta hyrëse në Shqipëri.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.