Kryemadhi në Njësinë 5, Tiranë: Votoni më 25 prill ndryshimin për të mbyllur tranzicionit

TIRANË, 19 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot një takim në Njësinë 5 në Tiranë.

“Sot është një ditë që ne kemi hyrë në ditën e parë të javës së fundit, të javës që do t’i japim dërrmën njëherë e përgjithmonë kësaj kalbësire të sistemit të tranzicionit, për të larguar njëherë e përgjithmonë këtë lloj sistemi, që nuk i lejon njerëzit të jetojnë të qetë dhe të shkollojnë fëmijët e tyre. Këtë lloj sistemi që rrit çdo ditë e më shumë çmimin e ilaçeve të pensionistëve dhe nuk mendon kurrë për të rritur një herë pensionet e tyre. Këtë lloj sistemi që rrit çdo ditë taksat e qytetit, çmimin e ujit, çmimin e energjisë elektrike, çmimin e parkingjeve të makinave tuaja, edhe pse jeni në mes të Tiranës dhe keni 50 a 60 vjet që jetoni këtu në këtë zonë dhe jua masin kokën me pe. Sepse ju jeni dhe tironsit e vjetër këtu tani me thënë të drejtën. Pra për të gjithë ata që ua kanë vështirësuar jetën çdo ditë dhe më shumë”, tha ajo.

Kryemadhi u kërkoi qytetarëve të votojnë më 25 prill ndryshimin, të votojnë numrin 6, Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“Unë ju kërkoj që të trokisni derë më derë. E di që Tirana e Re është indiferente. E di që Tirana e Re është skeptike për ndryshimin. Por jam e bindur që ndryshimi në Shqipëri për të mbyllur tranzicionin njëherë e përgjithmonë do fillojë nga zemra e Tiranës. Ju bëj thirrje të gjithë socialistëve të ndershëm, të cilët e dinë më mirë se kushdo tjetër që emri i socialistëve është marrë peng nga Rilindja e kalbur e Edi Ramës. Dhe në 25 prill socialistët do shkojnë të votojnë numrin 6, LSI shtëpinë e socialistëve. Unë jam e bindur që ju jeni më të vendosur se kurrë për ta çuar sfidën e të rinjve dhe të rejave të Tiranës, sfidën e të gjitha familjeve shqiptare për ta bërë Shqipërinë, shtëpinë e shqiptarëve sepse Shqipëria është e shqiptarëve, nuk është e maskarenjve. Ai ka ikur, ka ikur dhe nuk kthehet më, prandaj ne duhet të vendosim, forcën e të rinjve dhe të rejave, ne duhet të vendosim, forcën e grave dhe vajzave tona. Sepse vetëm duke votuar numrin 6, ne kemi votuar për të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh Kryemadhi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.