KQZ publikon 3 mënyrat për votë të vlefshme në 25 prill

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi sot 3 mënyrat se si mund të votojnë qytetarët ditën e zgjedhjeve.

Në mënyrën e parë të votimit qytetarët duhet të vendosin shenjën x ose +, brenda kutisë vetëm për një parti politike, ose koalicion dhe vetëm për një kandidat të asaj partie apo koalicioni.

Në mënyrën e dytë të votimit qytetarët duhet të vendosin shenjën x ose +, brenda kutisë vetëm për një parti politike, ose koalicion pa votuar për kandidatin.

Në mënyrën e tretë të votimit qytetarët duhet të vendosin shenjën x ose +, brenda kutisë vetëm për një kandidat edhe nëse nuk dëshiron të votosh për partinë ose koalicionin të cilit kandidati i përket.

KQZ publikoi edhe të dhënat sa i përket numrit të kandidatëve në zgjedhjet e vitit 2017 dhe në zgjedhjet e këtij viti, si dhe përqindjen e femrave në garë.

Kështu në zgjedhjet e vitit 2017, morën pjesë 2666 kandidatë për deputetë. Ndër to ishin 1073 kandidate femra, ose 40.25 %.

Në zgjedhjet e këtij viti, pra 25 prill 2021, marrin pjesë 1841 kandidatë për deputetë, teksa 732 kandidate ndër to janë femra, ose 39.76 %. /j.p/

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.