Komiteti i Ekspertëve: Gjimnazistët e klasave 10 e 11 kthehen në shkollë, karantinë për ata që vijnë nga Greqia e Maqedonia e Veriut


TIRANË, 19 prill/ATSH/ Komiteti Teknik i Ekspertëve përditësoi situatën e pandemisë në vend duke u shprehur për një situatë ndjeshëm të përmirësuar, gjë që i detyrohet zbatimit të masave antikovid dhe vaksinimit masiv.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, tha sot se ky vendim do të vlerësohet në vijim të dinamikës së situatës siç kemi bërë gjithmonë pas pas dy javësh.

Rakacolli theksoi se “nxënësit e vitit I dhe II (klasat 10 e 11) të shkollave të mesme që kanë qenë në mësim online si rezultat i përmirësimit të situatës epidemiologjike në vend mund të fillojnë mësimin në klasë të futen në skenarin e kombinuar”.

“Situata në Shqipëri paraqitet ndjeshëm drejt përmirësimit dhe ky padyshim ky përmirësim është rezultat i masave të propozuara në kohën e duhur dhe të bazuar në analizën e  shifrave dhe natyrisht është nga një bashkëpunim më i mirë i vërejtur nga qytetarët sidomos në respektimin e mbajtjes së maskave në ambientet e rekomanduara dhe në respektimin e distancimit fizik dhe social”, – tha Rakacolli.

Më tej ajo u shpreh se “padyshim që ka filluar të ndihet edhe efekti i vaksinimit masiv”.

Gjithashtu, Komiteti vendosi sot që duke filluar nga dita e nesërme të vendosen në karantinë dy javore  qytetarët që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia deri në 3 maj.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve Mira Rakacolli tha sot se, “në rajon situata paraqitet ndryshe, ku ndryshe nga vendi ynë vihet re një qëndrueshmëri në  përmirësimin e shifrave në fqinjët tanë sidomos në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi janë shtuar numrat e rasteve të reja ditore, por njëkohësisht është shtuar i jetëve të humbura”.

“Sfida e Komitetit tonë në këtë moment është përmirësimi i indikatorëve duke u munduar që të parashikojmë faktorët që mund te ndikojnë në rritjen e tyre. Duke parashikuar këta faktorë të propozojmë edhe masat. Mosrespektimi sa duhet i një pjese të subjekteve politike në tubimet elektorale mund të jetë një faktor që mund të ndikojë në rritjen e numrit të rasteve. Po ashtu afrimi i ditëve të Pashkëve është shoqëruar me lëvizje të qytetarëve në vendet fqinje. Festa e Pashkëve e vitit të kaluar, por njëkohësisht Krishtlindjet e vjetshme lëvizja e njerëzve e vuri vendin në një situatë të rënduar epidemiologjike, kujtojmë këtu rastet që patëm në fund të janarit, në shkurt, ku kishim  numra të shtuar rastesh që kishin nevojë për kujdesin intensive, por edhe numër të lartë jetësh të humbura”, – tha Rakacolli.

Rakacolli tha se “shifrat e përmirësuara dhe ecja me ritëm shumë të mirë të vaksinimit masiv, tani që po flasim në Rinas po vijnë rreth 280 mijë vaksina të tjera tregojnë se drita në fund të tunelit po zmadhohet, por mos të harrojmë që kemi akoma rrugë për të bërë. Duhet ët vazhdojmë të respektojmë masat, subjektet politike në këto 5 ditë të mbetura të fushatës elektorale të tregojnë përgjegjshmëri në organizimin e aktiviteteve dhe qytetarët të vazhdojnë të ndjekin me rigorozitet masat e propozuara nga ne se vetëm kështu do të mund ta ruajmë tendencën e përmirësimit të situatës, në mënyrë që të kemi një dritë më të mirë për ekonominë dhe t’i hapim rrugë një turizmi normal”.

/k.s//j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.