Gjiknuri me banorë të Dhërmiut dhe Vunoit: Investimet në zonë i rritën vlerën pronave dhe nxitën turizmin

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Në cilësinë e drejtuesit politik të Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës por edhe në atë të deputetit të zonës, Damian Gjiknuri zhvilloi takime elektorale me banorë në fshatrat Dhërmi dhe Vuno.

“Qeveria  e Partisë Socialiste, përgjithësisht për qarkun Vlorë, por edhe për fshatin tuaj ka bërë gjëra që nuk i kishte menduar njeri. Vetëm të shohësh vlerën e investimeve të hedhura në Vlorë, në Himarë në gjithë bregdetin shqiptar, është një vlerë marramendëse krahasuar me çfarë është bërë më parë. Janë bërë vepra të mëdha qoftë dhe rruga e Lumit të Vlorës, që e lidh Vlorën me një aks të dytë me bregdetin, po të shikojmë pjesën nga Borshi e poshtë e cila ka qënë më pak e zhvilluar, kjo rrugë do t’i japë një zhvillim më  të madh zonës dhe dhe do të zbusë fluksin më të madh që ka qënë në Dhërmi”, u shpreh Gjiknuri.

“Presioni në Dhërmi ka qënë më i madh sepse ka qënë afërsia me Vlorën dhe me pjesën tjetër të Shqipërisë. Do të bëhet aeroporti e më pas do të realizohet edhe tuneli pasi është futur në planet buxhetore të qeverisë. Bërja e tunelit do ta afrojë shumë pjesën tjetër të vendit me Dhërmiun, kështu që ju do të jeni prapë stacioni i parë i flukseve të mëdha turistike“, theksoi Gjiknuri.

Ai insistoi se falë investimeve dhe rritjes së vlerës së pronave, Dhërmiu është bërë markë ndërkombëtare si fshati me piktoresk dhe më i bukur. “Këtu po zgjidhet uji i pijshëm, ujërat e zeza po sistemohen, pak nga pak të gjitha gjërat po zgjidhen. Energjia është shumë më e mirë sesa ka qënë më para, e dini shumë mirë para katër apo pesë viteve“, u shpreh ai.

Më tej, Gjiknuri u ndal në një takim në fshatin Vuno ku tha se ka asnjë qeveri nuk ka bërë për zhvillimin e zonës sa qeveria socialiste e Edi Ramës.

“Unë mendoj se këtu vijmë ballëlartë në fshatin tuaj, sepse në fshat është investuar shumë nga qeveria dhe do të vazhdojë të investohet. Vunoi është nga fshatrat më të bukur në shqipëri që do të bëjë krenar jo vetëm ju si fshat por të gjithë zonën e Himarës. Nisja e procesit të vaksinimit edhe për sektorin e turizmit, do të lehtësojë ndjeshëm sektorin dhe do të lejojë që të ketë më shumë shërbime dhe më pak rrezik për infektime tha Gjiknuri.

Sipas tij, procesi i vaksinimit për moshatarët ka ecur tani po shtrihet edhe te pjesa që janë më të rinj dhe te personeli që punon në turizëm, kjo do të bëjë që Shqipëria ti kthehet shumë shpejt normalitetit.

Gjiknuri tha se falë ligjit 20/20 po merr zgjidhje regjistrimi fillestar i pronave ndërsa paralajmëroi të bëhet kujdes me atë çka premton PD pasi rikthen kalvarin e abuzimeve.

“Çfarë ju ofron krahu tjetër, se vinë ata të PD dhe thonë do të shfuqizojmë ligjin për pronat? E kanë seriozisht, kjo do të thotë që të mos regjistrohen më prona këtu dhe të ngelët procesi në hava edhe për disa vite të tjera. Se kur u themi si zgjidhet kjo, thonë se do ti çrregjistrojnë dhe do bëjnë nga e para. Do humbasim disa vite e do vijnë ata çakenjtë e pronave që dhe më parë e dini shumë mirë se çfarë është bërë këtu. Me PS sigurohet edhe rregjistrimi i shtëpive të vjetra dhe këtë proces ta përfundojmë në kohë“, premtoi Gjiknuri. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.