Gazheli: Prioriteti ynë, lehtësimi i procedurave doganore për biznesin

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, mori pjesë në  workshopin e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, mbi  lehtësitë doganore për sipërmarrjen, ku u shpreh edhe njëherë që prioriteti i institucionit që ai drejton është shërbimi me cilësi  e cdo strukture doganore ndaj biznesit.

Gjatë këtij takimi, Gazheli i njohu  sipërmarrësit me arritjet e deritanishme të administratës doganore, si dhe prezantoi objektivat për 2021, ku theksoi,  shtimin e mundësisë së aplikimeve online në portalin E-albania nga 8 për në 34 autorizime, plotësimin e kushteve për t’ju bashkuar Konventës së Përbashkët të Tranzitit përmes zhvillimit të NCTS, si dhe  krijimin e modulit elektronik të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar.

Ndërsa kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, vlerësoi mbështetjen e Doganave, përmirësimin dhe angazhimin e shtuar të strukturave në procesin e import-eksporteve, ku sipas tij, sipërmarrja ndjen një relaksim  në komunikimin e tyre. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.