Ftesa për Bashën nuk është kurth/ PS do të fitojë zgjedhjet, dua që shqiptarët të shohin të unë njeriun e bashkimit jo të ndarjes

TIRANË, 19 prill/ATSH-Maela Marini/ “Unë di që PS do fitojë zgjedhjet dhe dua dhe do të jem kryeministri i gjithë shqiptarëve jo thjesht në sensin e të qenit shefi i qeverisë që punon për të gjithë, por kryeministri ku të gjithë shqiptarët, pavarësisht në më kanë votuar apo jo, të shohin njeriun e bashkimit dhe jo të ndarjes, njeriun e solidaritetit dhe jo përçarjes, një pikë referimi për të gjithë”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, i ftuar në një studio televizive, ku foli mbi ftesën drejtuar Bashës.

“Unë kam thënë, them dhe do vazhdoj të them se është domsodoshmëri të shkojmë përtej politikës si sherr, si përplasje nga dava politikanësh dhe si një burim i madh energjie negative për popullin. Në këtë sens jam i hapur të bashkëpunoj ngushtësisht me opozitën dhe Lulzim Bashën, jo me qeverinë e ardhshme imagjinare të Lulzim Bashës, por me kusht që të ndahet nga Ilir Meta dhe Sali Berisha”, tha Rama.

Rama shtoi se “është i gatshëm të bashkëpunojë për atë që bashkëpunojnë partitë e përgjegjshme në botën e qytetëruar”.

“Këtu nuk vë asnjë limit. Bashkëpunimi me opozitën është shumëplanësh. Kjo nuk është një çështje përkufizimesh sot, por një frymë parimi. Ne kemi fuqi të ndërtojmë një frymë bashkëpunimi mes palëve dhe ta kthejmë në çështje parimi. Se si artikulohet unë jam i hapur, nuk kam asnjë pengesë dhe kusht, veç kushtit të ndahet nga Sali Berisha dhe nga Ilir Meta”, shtoi Rama.

“Fryma dhe parimi janë ato që kanë rëndësi themelore. Setet e çështjeve ngrihen mbi frymën dhe parimin. Nëse është fryma vendoset parimi pastaj ngrihen setet e çështjeve për bashkëpunim, – tha Rama, ndërsa shtoi se, – unë nuk merrem me kurthe”.

Ndërkohë, ai theksoi se “Meta dhe Berisha janë burimi i sherrit, i konfliktit, i ndasisë dhe marrëzisë që kanë përfshirë politikën shqiptare në shumë vite dhe kanë ezauruar çdo shans tjetër nga shqiptarët”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.