Ekonomi me prodhuesit e verës dhe somelierët: Të promovojmë produktet shqiptare brenda e jashtë vendit

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural Milva Ekonomi u takua me prodhues të verërave dhe somelierë në Shqipëri.

Qëllimi i takimit ishte promovimi i produkteve të verës në tregun vendas dhe të huaj. Në takim mori pjesë dhe ministri i Sipërmarrjes Eduard Shalsi.

Përmes prezantimeve virtuale, 12 kantinat më të mëdha në vend, shfaqën produktet karakteristike të kantinave të tyre. Ministrja Ekonomi u njoh gjithashtu  nga përfaqësuesit e kantinave, me ecurinë e zhvillimit të sipërmarrjeve së tyre, problematikat dhe sugjerimet për të rritur prodhimin, eksportet dhe synimin për gjetjen e tregjeve të reja.

Në fjalën e saj, ministrja Ekonomi theksoi se me shtimin e sipërfaqeve të mbjella me vreshta prej 6.5%, nga viti 2013 deri më 2019 prodhimi i verërave në Shqipëri është rritur me 11.2%.

Prodhimi i rrushit ka fituar qëndrueshmëri duke shkuar afro 190-195 mije tonë/vit,  gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, përvec mbështetjes financiare të qeverisë dhënë si nga IPARD dhe Skemat Kombëtare me një vlerë prej 35 milionë dollarë, dhe hartimi i projektligjit “Për Vreshtarinë dhe Verën” që është në proces miratimi, do të përmirësojë sektorin.

Edhe ministri i Sipërmarrjes Eduard Shalsi vlerësoi punën e sipërmarrësve në këtë sektor, e cila ka cuar në rritjen e cilësisë prodhimit të verërave në vendin tonë.

Ministri Shalsi tha se falë punës së prodhuesve të verës por dhe mbështetjes së qeverisë përmes skemave e programeve si IPARD, brenda një periudhe të shkurtër, cilësia e verës dhe kantinat të njohin rritje të jashtëzakonshme.

Gjatë takimit, prodhuesit e verërave degustuan produktet dhe shkëmbyen mendime në lidhje me përzgjedhjen e varieteteve të reja të rrushit, kultivimin e vreshtave me qëllim  rritjen e cilësisë së verës, si dhe rekomandime për vazhdimin e bashkëpunimit me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori. Sot janë te regjistruara si ferma turistike ose agroturizem 45 kantina. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.