BULLGARI – Radev në bisedime me partitë për të formuar qeverinë e re

SOFJE, 19 prill /ATSH-DPA/ – Dy javë pas zgjedhjeve parlamentare, Bullgaria ende nuk ka formuar një qeveri të re, duke qenë se asnjë parti nuk fitoi shumicën e kërkuar për të qeverisur vetëm.

Presidenti bullgar, Rumen Radev u takua sot për bisedime të ndara me gjashtë partitë politike të vendit për të diskutuar formimin e një koalicioni të ri.

“Formimi i një koalicioni është plotësisht përgjegjësi e parlamentit dhe partive të përfaqësuara atje”, tha Radev, para një takimi me përfaqësues nga GERB, partia e kryeministrit Bojko Borisov.

Borisov dha dorëheqjen nga posti i tij pas zgjedhjeve, por, ndërkohë, ka vazhduar të drejtojë vendin.

GERB fitoi zgjedhjet parlamentare më 4 prill me 26 %, duke siguruar 75 nga 240 vende në parlament, por pas akuzave për korrupsion, partia, e cila ka qeverisur tri herë që nga viti 2009, është izoluar nga pesë partitë e opozitës, të cilat e quajnë atë “toksike”.

Nëse nuk ka sukses, partia e dytë më e fortë, partia populiste dhe kritike ndaj sistemit, ITN, do të jetë ajo që do të fillojë përpjekjet për formimin e qeverisë.

ITN fitoi vetëm 51 vende në parlament por mund të ketë mbështetjen e partive të tjera, sipas informacionit nga konsultimet./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.