“Basha, dhëndri që u duhet Saliut dhe Ilirit deri më 25″/ Në 25 prill shqiptarët duhet t’i largojnë me votë

TIRANË, 19 prill/ATSH-Maela Marini/ “Për ta ngjitur Shqipërinë në majë na pengon vetëm ndasia, sherri, përçarja, ata që i këndojnë plehut, na pengon Ilir Meta dhe Sali Berisha”, deklaroi sot nga Pogradeci Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “në 25 prill shqiptarët duhet t’i largojnë me votë, jo për mua, se si me ta, si pa ta, PS do të fitojë mandatin e tretë”.

Rama tha se janë këta dy emra që deri tani kanë penguar zhvillimin e vendit, ndërsa shtoi se Basha është thjesht një dhëndër që Metës dhe Berishës do iu duhet deri në datën 25 dhe jo më shumë.

“Më thonë pse i vë kusht ndahu nga Saliu dhe Iliri. Është shumë e thjeshtë, sepse Saliu dhe Iliri janë mblesër, ky është dhëndri që duhet deri në datën 25. Mbas datës 25 janë ata që kurdisin Lulin”, tha Rama.

“Këtu çështja nuk është do fitojë apo jo PS, por boll me këtë politikë teatër absurd, boll më me gjithë ata që mendjen e kanë për sherr”, tha Rama.

Rama tha se “ne na duhet ta thyejmë këtë traditë të tmerrshme që çfarë i dha Zoti shqiptarëve dora e mbrapshtë e robit, që shqiptarët vunë në krye, nuk ia la ta shijojnë”.

“Duhet ta marrim në dorë fatin e këtij projekti, të mos bëhemi qaramanë që i duam gjërat aty për aty menjëherë”, tha Rama.

Rama tha se “në 25 prill vendoset nëse ne do të vazhdojmë të çojmë para projektin bazuar te ajo që Zoti pa kur ndërtoi Shqipërinë, apo do kthehemi përsëri në atë humnerë që shqiptarët kanë rënë duke u përpjekur t’i bien shkurt”.

“Ndaj shqiptarët kanë nxjerrë shprehjen: ‘rruga e shkurtër të nxjerr gjatë’. Se nëse në këtë rrugë të gjatë do kishim hyrë prej kohësh sot do ishim duke bërë biseda të tjera. Nuk bëhen dot në 6-7 vjet ato që të tjerët i kanë bërë me dekada të tëra. Por sot jetojmë në botë tjetër, informacioni dhe dija transferohet në kohë reale”, tha Rama.

“Kur ne ja dolëm kundër tërmetit dhe po fusim çdo ditë në shtëpi familje që humbën në pak sekonda banesat, ndërkohë që në Itali janë akoma pa banesa, dhe këtë e bëmë duke bërë një program social që nuk e ka as Turqia, ku shtëpia të jepet 100 % falas. Ja dolëm të hyjmë në vaksinimin masiv. Kur gjithë të tjerët rreth e rrotull akoma mezi po sigurojnë dozat e vaksinave për ta shtyrë javë pas jave, ne ia dolëm të jemi në fashën në të lartë të vendeve të Europës, ia dolëm ta shohim fundin e pandemisë më parë se shumë të tjerë që janë shumë të zhvilluar, nuk ia dilkemi ta ngremë Shqipërinë në majë?!” – tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.