Bardhi në Fushë Mbret: Pas 25 prillit, Elbasani do t’i kthehet rendit

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Drejtuesi politik i PD në qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi, dhe kandidatët Zheni Gjergji e Eugen Isai, u takuan me banorët e lagjes Fushë-Mbret në Elbasan dhe dhanë mesazhin se ndryshimi që vjen pas 25 prillit, është për ta, për familjet, për fëmijët e të rinjtë e zonës.

Gazment Bardhi u shpreh se, lënia në varfëri ka qenë një strategji e qeverisë, për ta pasur më lehtë t’i nënshtrojë qytetarët dhe t’u blejë atyre dinjitetin me 50 mijë lekë para zgjedhjeve.

Bardhi i siguroi banorët, se bandat dhe krimi do të kenë frikë nga qytetarët pas 25 prillit. Elbasani do t’i kthehet normalitetit, rendit, qetësisë, kulturës, dijes dhe harmonisë, siç i ka hije.

“Alternativa jonë është që nuk jemi mirë kështu siç jemi, prandaj shqiparët duhet të votojnë për ta ndryshuar gjendjen. Më 25 prill votohet vetëm për një mumër, që është numri që na jep të gjithëve shpresë që mund të jetojmë dhe mund të vazhdojmë të jetojmë në Shqipëri, që kemi më shumë mundësi për punësim, që familjet tonë të kthehen në normalitet, të kemi më shumë mirëqenie, të mos kemi frikë nga banditët, por banditët të kenë frikë nga ju dhe nga ligji, dhe ta kthejmë Elbasanin aty ku ka qënë gjithmonë në historinë e Shqipërisë, si qytetin e dijes, kulturës, paqes dhe harmonisë”, tha Bardhi.

“Të jeni të sigurtë që kështu siç jemi sot këtu, do jemi këtu edhe pas 25 prillit dhe të jeni të sigurtë që ne, ato angazhime që kemi marrë përsipër gjatë fushatës zgjedhore do t’i vëmë në jetë, për faktin e thjeshtë, që ju vetë na keni thënë se atë që vjen pas 25 prillit e shikoni si shpresën e fundit për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, deklaroi Gazment Bardhi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.