Balluku: Nis nesër vaksinimi i punonjësve të aviacionit civil

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se nesër në stadiumin kombëtar “Air Albania” do të nisë vaksinimi i punonjësve të aviacionit civil.

“Vaksinimi nis me stjuardesat, pilotët dhe stafet e “Air Albanias”, duke qenë se është një nga grupet sensitive edhe për shkak të ekspozimit që ka gjatë kohës së shërbimit për pasagjerët”, tha ajo.

Balluku foli edhe për aeroportin e Kukësit, të cilin e cilësoi si një faqe e re në historinë e aviacionit civil për të gjitha trevat shqiptare.

Duke u ndalur te fushata elektorale, Balluku vuri theksin te zbatimi i masave antikovid pasi theksoi ajo, synimi ynë është vaksinimi masiv dhe jo infektimi masiv siç po shikohet në takimet e opozitës.

Ministrja iu rikthye grevës së kontrollorëve në Rinas, ku tha se kishim të bënim me mungesë papërgjegjësie të plotë. Por vuri në dukje ajo, është e kuptueshme pasi politika futi duart e saj edhe në sektorin më të rëndësishëm të transportit, që është navigimit ajror.

“Rëndësi ka që kontrollorët u kthyen në detyrë“, deklaroi ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.