Ambasadorja Kim takim me Veliun: Detyra e Policisë profesionale dhe e paanshme për zgjedhjet

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu zhvilloi një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim.

Veliu dhe Kim vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Policisë së Shtetit, Ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit në SHBA.

Kim shprehet se gjatë këtij takimi u konfirmua se detyra e Policisë do jetë profesionale në ruajtjen e rendit gjatë dhe pas zgjedhjeve.

“U takova me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, për të diskutuar mbi përgatitjet për zgjedhjet e 25 Prillit. Veliu konfirmoi se detyra e oficerëve të policisë do të jetë profesionale dhe e paanshme në zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit publik përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve”, shprehet Kim.

Drejtor Veliu njohu ambasadoren Kim me punën e Policisë së Shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, duke theksuar vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të luftuar krimet zgjedhore pa u ndikuar nga asnjë kah politik.

Gjithashtu Veliu i garantoi ambasadoren Yuri Kim se Policia e Shtetit është e fokusuar dhe e vendosur vetëm në drejtim të zbatimit të ligjit dhe vetëm të ligjit.

Po gjatë takimit, Veliu e ka njohur nga afër ambasadoren Kim edhe me punën e Policisë së Shtetit në drejtim të parandalimit dhe goditjes së kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të drogave të forta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.