Zhupa, takim me peshkatarët në Sarandë: Porto Palermo do të jetë në shërbimin tuaj

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Kandidatja e Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës Ina Zhupa zhvilloi takim me peshkatarët në Sarandë. Ata e njohën me problematikat e mëdha që kanë, duke nisur nga mungesa e kalatave ku të ankorohen, tek shkalla për të bërë remontin e anijeve.

Zhupa u shpreh se “është e papranueshme që nuk keni kalata”.

“Vetëm një shtet që nuk e ka mendjen për qytetarët mund ta lërë në këtë gjendje. Duhet vetëm vullnet politik për ta kryer, një vullnet që ne nuk na mungon dhe që do të jetë nga detyrat e para që do të bëjmë”, u shpreh Zhupa.

“Është i papranueshëm trajtimi me taksa të larta dhe burokracitë. Ju jeni të detyruar që për certifikimin tuaj të shkoni në Durrës, kur ky duhet të ishte një shërbim që ju duhet ta kishit në Sarandë she me PD në qeveri do ta keni”, – tha Zhupa.

Kandidatja e PD vuri në dukje angazhimet kryesore të PD për të rritur mirëqenien dhe për të ndihmuar ekonominë e familjeve.

“Subvencione, ulje e taksave dhe ajo që lidhet direkt me peshkatarët, vënia e Porto Palermos në dispozicion të peshkatarëve. “Porto Palermo do të jetë në shërbimin tuaj. Nuk ka kuptim që ju të ankoroheni në gur, ndërkohë që porti është aty”, – tha Zhupa./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.