Vijon vaksinimi antikovid në Durrës/ Punonjës të turizmit: Tashmë u zgjidh sezoni, prenotimet vijojnë me garancinë e vaksinimit

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Vaksinimi masiv antikovid i nisur në vendin tonë prej javësh, tashmë ka prekur edhe sektorin e hoteleri-turizmit, me synim e lehtësimit të sezonit turistik, me sa më pak masa kufizuese dhe me një numër më të lartë vizitorësh.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte pranë ambienteve të vaksinimit që janë ngritur në qendër të qytetit të Durrësit ku edhe punonjësit e kësaj industrie po marrin dozën e parë të vaksinës.

Luljeta që punon si sanitare në këtë sektor shprehet se ka dy vjet që punon në këtë pozicion pune. “Sapo bëra dozën e parë dhe ndihem shumë mirë. Tani ndihemi më mirë, sepse nuk vendos në rrezik as vizitorët. Të gjithë duhet ta bëjnë vaksinën”, u shpreh ajo.

Liri Saliasi që është edhe vaksinatore pranë kësaj qendre shprehet se procesi ka ecur shumë mirë.

“Kemi filluar punë që në orën 9 dhe po ecën shumë mirë. Personat mbi 60 vjeç dhe punonjës nga sektori i turizmit po vaksinohen. Njerëzit janë shumë të interesuar dhe ka vijuar më së miri. Sot janë vaksinuar 400 punonjës të sektorit të turizmit dhe do vazhdojmë deri në përfundim të të gjithë personave”, u shpreh ajo.

Një tjetër punonjës i sektorit të turizmit në qytetin e Durrësit, Eltoni tregon se si po vijohet me prenotimet që kanë bërë turistët duke ua bërë të qartë tashmë që punonjësit e këtij sektori po i nënshtrohen procesit të vaksinimit.

“Tani do të jemi më të mbrojtur si ne, si klientët. Tani do jemi të sigurtë edhe për prenotimet. Gjithkush duhet ta bëjë këtë vaksinim. Prenotimet kanë filluar dhe të gjithë na pyesin nëse jemi vaksinuar. Kjo sigurisht që i jep një zgjidhje të gjithë kësaj situate dhe mendojmë se tani do të kemi një sezon të suksesshëm. Duhet të mbrojmë veten dhe të tjerët. Përvoja me vaksinën ishte shumë e lehtë ndaj mendoj që të gjithë duhet ta kryejnë”, u shpreh Eltoni për ATSH-në. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.