“Vetëm me PS, Tropojën mund ta çojmë në majën e punëve të mira”/ Doni të fusni në shtet pronarët e basteve dhe policët e korruptuar?

TIRANË, 18 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha se “vetëm me PS, Tropojën mund ta çojmë në majën e punëve të mira”.

Gjatë një takimi sot me banorë të Tropojës, Rama solli në vëmendje kohën e Saliut, ku u bë këtu jep një e merr dy, e Saliu thoshte janë lekë të pastra.

“Demokracia i sjell lekët nga qielli. Në fund shkuan me marrë dy, pasi kishin shitur bagëti, shtëpi e katandi, e morën dy gishta në sy, e u bënë si pula qorre që u hodhën përpjetë mes zjarrit që e ndezën vetë dhe Shqipërisë iu deshën 10 vjet për të ngritur kokën”, tha Rama.

“Ne e kemi ngritur kokën, e kemi ngritur pas dy goditjeve të rënda. Më 25 prill është provë karakteri midis atyre që padashje do shkojnë pas asaj të japim një e të marrim dy dhe atyre që mendojnë mirë që koka e ngritur e Shqipërisë nuk mund të ulet më. Se të kalosh tërmetin, pandeminë dhe të biesh në dorë të Lulit është tërmet e pandemi e një forme tjetër, është çmenduri, dhe t’ia bësh këtë fëmijëve të tu është çudi e madhe”, – tha Rama.

Sipas tij, biznesi i vogël e ka taksën zero e TVSH-në zero deri në 2029 me PS-së.

“Tani si mund të shkosh të votosh që taksa zero të rritet, për të çuar Lulin të flejë te kryeministria? Po merreni, le të vijë të flejë te gështenjat. Po e vërteta është se nuk bëhet ky eksperiment më. Rrugët e shkurtra të nxjerin gjatë, thotë populli dhe kjo është rruga që ne të arrjmë në majë, në atë majë që Shqipëri meriton të jetë nga kjo gjeneratë”, tha Rama.

“Ne sot kemi mundësinë ta çojmë Shqipërinë në një nivel tjetër për ekonominë e çdo familje që beson te puna”, – tha ai.

Rama theksoi se makinat e shtrenjta që vijnë këtu në Tropojë bëjnë kujën për çmimin e naftës, po brenda në ato makina janë ata të basteve deri që janë bashkë me ato të basteve që duan ta rrëzojnë me çdo kusht këtë qeveri, e të hapin ato baste e për të filluar prapë nga e para, më jep një, e të jap dy. Aty janë ata shefa policie të korruptuar, janë ata policë që hanin fara kungulli në udhëkryq e të vinin te xhami i makinës e të thonin hidh lekët. Ato janë brenda atyre makinave. Doni t’i nxirrni nga ato makina e t’i fusni në shtet?” u shpreh Rama.

“Sot prej disa vitesh fëmija që vjen nga një fshat i Tropojës me nota dhjeta ulet në Fakultetin e Mjekësisë dhe nuk ka shans që fëmija e ndonjë ministri apo deputeti t’i zërë vendin. Gjithashtu nuk ka asnjë mësuese që ta ketë marrë drejtori e t’i ketë thënë: o ti aty, se vjen kryeministri, o nesër ti nuk je më në punë; apo infermieret nuk ka asnjë shans që t’i vijë drejtori e t’i thotë që gjilpërat do t’i bëjë veterineri, e ti të ikësh nga puna. Kështu ka qënë para disa vitesh”, – u shpreh Rama.

Ai tha se 95 % e shërbimeve janë futur online, por nuk janë të gjitha me cikël të mbyllur, si në rastin e dokumenteve në Hipotekë. Por po erdhën ata harrojeni që ne mund të ngjitemi lart, ne do të zbresim poshtë.

“Çfarë kemi bërë nuk është mjaftueshëm, por mjafton si provë, ndaj po deshët ta çojmë Tropojën përpara është vota për PS-në”, – deklaroi Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.