Sondazhi/ PS mandat të tretë me 48-52% të votave, PD me aleatët 39-43% LSI tkurret në 3,5-7,5%

TIRANË, 18 prill/ATSH/-Nëse do të votohej sot, PS fiton shumicën e ulëseve në Kuvendin e ardhshëm, me 73 mandate në rang kombëtar.

Sipas sondazhit të fundit të Piepolit PS mund të marrë 48-52 % të votave e përkthyer deri në 73 mandate. Edhe PD me aleatët pritet që të marrin deri në 58 mandate ose 39-43 % të votave në rang kombëtar. LSI pëson tkurrje krahasuar me zgjedhjet e 2017, ku pritet të marrë deri në 10 mandate ose 3,5-7,5% të votave.

PS fiton Tiranën me 49-53% të votave, PD do merrte 36-40%

Nëse sot do të votohej në qarkun e Tiranës, për Partinë Socialiste do të votonin 49-53 %, shifër kjo e përkthyer në 18-20 mandate deputetësh. Në këtë mënyrë PS do të ruante rezultatin e vitit 2017, duke pretenduar një rritje me 2 deputetë.

Për Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ndryshim do të votonin 36-40 % ose 12-14 mandate. Sa i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim LSI do të merrte 4-8 % të votave, ose 1-3 mandate.

Nisma Thurje do të merrte 1-3 % të votave ose përkthyer në mandate 0-1 mandate. Në garë për mandat në kryeqytet është edhe Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit e cila nëse do të votohej sot do të merrte 0-2 % të votave.

 PS merr Durrësin me 47-51% të votave, PD 40-44%

Në Durrës Partia Demokratike dhe koalicionin ‘Aleanca për Ndryshim’ ka ngushtuar diferencën me Partinë Socialiste, edhe pse kjo e fundit merr besimin me një shumicë të rëndësishme prej 47-51% të votave ose 6 deri në 8 mandate.

PD-AN është rritur me 2% duke shkuar në 40-44% ose 5-7 mandate deputetësh. Sipas sondazhit të Piepolit për LSI-në do të votonin 2-6%.

 PS merr Elbasanin me 52-56% të votave, PD 37-41%

Partia Socialiste kryeson bindshëm me votë popullore dhe me mandate në Elbasan. Nëse qytetarët do të votonin sot në qarkun e Elbasanit, sipas sondazhit të Piepolit PS do të merrte 52-56 % të votave e përkthyer në 8-9 mandate.

Koalicioni PD-Aleanca për Ndryshim do të merrte 37-41 % të votave e përkthyer në 4-6 mandate. Edhe LSI do të ishte në garë në mandat edhe pse në këtë sondazh të fundit ka rënë me 0.5% krahasuar me matjen më 7 prill.

PS 5 mandate në Berat , PD 3 e LSI 2

Sipas sondazhit, qytetarët e qarkut Berat do i siguronin shumicën Partisë Socialiste. PS Lufton në Berat për 5 mandate duke marrë 56-60 % të votave, ndërsa PD me aleatët luftojnë për 3 mandate ose 29-33 % të votave. Edhe pse LSI është goditur shumë në qarkun e Beratit me ‘rrjedhjet’ e shumë anëtarëve të saj duke iu bashkuar PS, duket se përpjekjet vijojnë për të marrë 0-2 mandate, por jo të sigurta. Megjithatë gjithçka pritet të shihet ditën e votimit më 25 prill, ku qarku i Beratit nxjerr 7 deputetë dhe PS duket se është favorit për të marrë numrin më të madh të tyre. Ajo që vihet re te partitë nga sondazhet e kaluara të Piepolit për 25 prillin, PS dhe PD me aleatët kanë pësuar rritje të lehta me nga 1 %, ndërsa LSI shënon zbritje ose qëndrim në të njëjta kuota.

Gjirokastra- PS deri në 3 mandate ose 45-49 % të votave, PD-AN 37-41 %

Edhe në Gjirokastër duket se favorite për të fituar shumicën është Partia Socialiste. Sipas sondazhit të fundit të Piepolit, një javë para zgjedhjeve të 25 prillit, duket se qytetarët në qarkun Gjirokastër do t’i japin PS deri në 3 mandate ose 45-49 % të votave. Ndërsa PD me aleatët në rastin më të mirë mund të luftojnë për dy mandate në Gjirokastër ku pritet që të marrin 37-41 % të votave. Edhe LSI Lufton për një mandat në Gjirokastër me 6.5-8.5 % të votave. Qarku i Gjirokastrës nxjerr 4 deputet, ku PS mund të arrijë të marrë 3 aq sa ç’është edhe synimi i saj, por edhe nëse PD do të siguronte rezultatin më të mirë të saj ajo do të merret vetëm 2 mandate.

Sondazhi për Shkodrën e Lezhën

Sipas sondazhit, në Shkodër PD fiton me 49-53% të votave ose në 5-7 mandate deputetësh nga 11 që ka gjithsej. PS parashikohet të marrin 36-40% të votave ose 3-5 mandate. LSI me 2-6% që përkthehet në 0-1 mandat deputeti. PSD e Tom Doshit parashikohet të marrë 1-3% të votave ose 1 mandat deputeti. Edhe Lëvizja për ndryshim e Jozefina Topallit parashikohet të marrë 1-3% të votave dhe një mandat deputeti.

Në Lezhë, PD nëse zgjedhjet do të bëhehsin sot do të merrte nga 51-55% të votave, ose e përkthyer në mandate 3-5. Partia Socialiste do merrte 2-4 mandate, ose 37-41% të votave, LSI 2-6%.

PS rritje në Fier me 50-54% të votave, PD 33-37%

Fieri është një prej qarqeve të mëdha në vend, ku nuk janë vetëm 2 apo 3 forca politike në garë për mandat. Në Fier kanë shanse për të marrë një mandat edhe Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit si edhe Nisma Thurje. PS ka njohur një rritje në qarkun e Fierit krahasuar me sondazhin 7 prillit të Institutit Italian Piepoli në bashkëpunim me Report Tv. Referuar të dhënave, PS merr 50-54% të votave nëse zgjedhjet do të bëheshin sot, ndërsa në sondazhin e kaluar merrte 49-53%. Sa i përket Partisë Demokratike, edhe ajo ka pësuar një rritje nga 33-37% që ishte sondazhin e kaluar në 34-38% në sondazhin e ditës së sotme. LSI mbetet në të njëjta kuota, që merr nga 2-6% të votave ose e përkthyer në mandate llogaritet deri në 2 karrige në parlament.

PS fiton 7-8 mandate në Vlorë, PD-AN 3-5

Në qarkun e Vlorës, nuk ka asnjë lëvizje mbi mandatet që do të marrin partitë politike krahasuar me sondazhin e kaluar të Piepolit. PS arrin deri në 8 mandate, aq sa janë prtishmëritë e socialistëve ku kreu i qeverisë renditet në këtë pozicion, PD deri në 3-5 mandate e ndërsa LSI 0-1. Partitë e reja nuk kanë asnjë shans për të marrë një deputet në këtë qark.

PS forcë e parë në Korçë thellon diferencën me PD-LSI 

PS del forcë e parë në qarkun e Korçës. Nga 11 mandate që ka ky qark, PS merr deri në 7 mandate nëse do të votohet sot pasi merr 51-55%. PD merr maksimumin e saj 5 mandate e ndërsa LSI është në garë për 0-2 përfaqësues në Kuvend. Ajo që vihet re është se PS ka një rritje të lehtë krahasuar me sondazhin e kaluar të 7 prillit nga Instituti Piepoli në bashkëpunim me Report Tv, e ndërsa PD dhe LSI mbeten në të njëjtat kuota. Partitë e reja në këtë qark mbeten të papërfaqësuara pasi nuk sigurojnë votat e mjaftueshme për të marrë minimumi një mandat.

Në Dibër, PS 38-42% të votave, PD-AN 50-54%

Nëse qytetarët e Dibrës do të votonin sot PD së bashku me aleatët do të merrnin deri në 4 mandate ose 50-54 % të votave. Gjithashtu edhe PS lufton fort për 3 mandate në skenarin më të mirë, por që në përqindje votash është më poshtë se PD me aleatët pasi sipas sondazhit të fundit të Piepolit për Report Tv mund të marrë 38-42 % të votave. LSI dhe partitë e tjera duket se nuk arrijnë të marrin dot asnjë mandate, duke bërë që gara në këtë qartë të zhvillohet e fortë mes dy partive të madha, ku pretendentja kryesore është PD me aleatët.

Sondazhi/ 57 % e shqiptarëve, notë pozitive mandatit të dytë të Ramës

Mbi 50 % e qytetarëve i kanë dhënë notë pozitive mandatit të dytë të Kryeministrit Edi Rama.

Në sondazhin e fundit të Piepolit për zgjedhjet e 25 prillit publikuar mbrëmjen e sotme në Report TV, të pyetur se si e gjykojnë mandatin e dytë të Qeverisë Rama, 57 % e të pyeturve i kanë dhënë notë pozitive, respektivisht 19 % shkëlqyeshëm, 27 % mirë dhe 11 % mjaftueshëm.

Ndërkohë që 43 % e shqiptarëve e kanë cilësuar të keq këtë mandat të dytë, me 10 % dobët dhe 33 % keq.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.