Rrëfimi ndryshe i Ramës për jetën e tij: Gjyshja më pagëzoi katolik, babai figurë qendrore

TIRANË, 18 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama rrëfeu në emisionin “E Diell” përmes fotosh të ndryshme historinë e familjes dhe jetës së tij.

Rama tregoi se gjyshja e tij ishte motra e Zef Kolombit që u rrit në kuzhinën e Grand Hotel, në Shkodër dhe ishte një gjyshe që gatuante në mënyrë fantastike  edhe pse mundësitë atëherë ishin të vështira.

“Historia e njohjes me gjyshin, është shumë e bukur” tha Rama. ”Gjyshi im nga babai, ishte djali i një babai Kristaq Rama i parë, që ishte drejtor i Doganës së Durrës dhe njëkohësisht ishte shumë i lidhur me lëvizjen patriotike për hapjen e shkollave shqipe dhe ishte një familje jo e pasur por as e varfër dhe ai financonte për hapjen e shkollave shqipe”, vijoi kryeministri.

“Kur gjyshi im u bë në moshën për kryerjen e studimeve të larta, stërgjyshi mendonte se gjyshi im ishte pasardhësi për t’i dhënë stafetën në këtë rrugë patriotike dhe e çoi në Itali”, tregoi Rama.

“Gjyshi shkoi për studime në Itali dhe siç tregon gjyshja më pas, se unë gjyshin e kam njohur por kur kam qenë shumë i vogël, dhe kur erdhi viti i ri doli gjithë famija për ta pritur në portin e Durrësit se ishte studenti që kthehej nga Italia për të festuar Vitin e Ri, dhe ai zbret nga anija me një veturë  Alfa Romeo shumë të bukur. Aty i ati kuptoi që gjithë paratë i kishte bërë rrush e kumbulla dhe ai del nga vetura dhe i ati e qëllon me pëllëmbë duke i thënë që tani tani nuk ke më punë me mua dhe kurrë më nuk të jap asnjë lek që të shkosh në Itali”, tregoi Rama.

Kështu gjyshi mbeti në Durrës, po ishte nga të parët që ishte posedues i një veture private. E sheh kryetari i bashkisë Durrës dhe thotë se “ti djalë ke dy rrugë ose të bëhesh shoferi im me makinën tënde, ose të ikësh nga Durrësi se nuk mund të kesh ti një makinë më të mirë se kryetari i bashkisë.

Gjyshi me shumë kënaqësi u bë shoferi i kryetarit të bashkisë Durrës. Në ditën e festës kombëtare, lartmadhënia bën ceremoninë e madhe në pallatin e tij dhe te shkallët priste të gjithë të ftuarit. Kur vjen kryetari i bashkisë së Durrësit me këtë makinë, madje e kam një foto të kësaj makine dhe është makinë fantastike, dhe kur takon lartmadhërinë, ai i thotë nuk ke turp, kështu i harxhon lekët e taksapaguesve. Kryetari i bashkisë i thotë lartmadhnisë se makina nuk është e tija, por e shoferit. Atherë larmadhnia takon gjyshin dhe i thotë që nga nesër do të punosh me mua. Dhe kështu gjyshi im u bë shoferi Ahmet Zogut”, vijoi Rama.

“Në një nga udhëtimet e Ahmet Zogut në Shkodër, në një event në katedralen e Shkodrës, pa gjyshen time, që jetonte në familjan e kumbarit, që ishte shumë katolike dhe gjyshja shkonte rregullisht në kishë.

Një ditë të bukur gjyshi i propozoi që të martoheshin. Ajo i thotë familjes e cila thotë në asnjë mënyrë dhe bëjnë një rrëmbim konsensual. Gjyshi e merr nga Shkodra dhe e çon në Durrës. Por gjyshja nuk pranon që ta çojë në shtëpinë e tij, pa u martuar dhe kështu gjyshi e çon në hotel.

Gjyshja ishte e vendosur që të martohej në kishë, Kisha nuk e pranon se gjyshi ishte nga një familje ortodokse dhe gjyshja i shkruan letër Papës së Romës, ku i thotë se është e dashuruar me këtë njeri, po që nuk ka lidhje me katolicizimin, po nëse më jepni leje që të martohem betohen para zotit dhe para jush që fëmijët e mi do të jenë katolikë. Ai ra dakort. Dhe 6 muaj e ka mbajtur në hotel. Pasi erdhi përgjigja nga selia e shenjtë ata martohen në kishën katolike dhe babai, halla bëhen të gjithë katolikë. Dhe kur lind unë, gjyshi më merr, e më pagëzon ortodoks, pa i thënë prindërve.  Dhe i thotë gjyshes unë e mora hakun nipi është ortodoks. Gjyshja fillon të qeshë dhe i thotë se asnjëherënuk ke për ta kuptuar se ne katolikët gjithmonë i arrijmë qëllimet tona se zgjohemi  më herët sesa ju.

Ky  është pagëzuar katolik kur ti ke qenë duke fjetur gjumë. E kështu gjyshja më ka pagëzuar natën me një prift dhe unë emrin e pagëzimit e kam Paulin, për shkak se është emri i xhaxhit tim që vdiq shumë i ri”, tregoi Rama.

Rama tregoi lidhjen e ngushtë me gjyshen.

“Me gjyshe Veronikën jam rritur. Gjyshja ishte deri në fund praktikante katolike dhe ne flinim në një dhomë dhe çdo natë unë dëgjoja përshpërimën e lutjeve të saj”, tha ai.

“Në atë kohë gjeje shumë libra që ishin kundër fesë dhe në një prej tyre unë lexoj një personazh që përqeshte ikonat si dërrasa të lyera me bojë dhe që u merrnin mendjen e njerëzve. Gjyshja kishte një ikonë dhe e nxirrte kur ishin festa fetare dhe ndizte një qiri. Një ditë kur unë lexoj këtë libër, frymëzohen shkoj marr ikonën aty e kish vendosur gjyshja dhe i shkoj gjyshes në kuzhinë dhe i flas kundër fesë duke i përsëritur çka kisha lexuar. Ky është një nga moment që në mendjen time, ka ndezur një llambushkë dhe pastaj është zhvilluar me leximin e librave të ndalur dhe nevojën  për të jetuar një botë alternative brenda botës së mbyllur dhe kishte lidhje me fenë. Po ky ishte momenti, ku gjyshja i mbush sytë me lot dhe qan dhe më thotë dakord zoti nuk ekziston, po çfarë të kushton që të pyesësh veten po sikur të ekzistojë? Dhe aty ishte një çast që më dha një goditje frike sikur të ekzistojë, që u shtjellua në vite”, vijoi Rama.

“Gjyshja ka qënë personazhi më prezent në kuptimin që ishte jasteku ku vija kokën ku gjeja mbështetje dhe m’i bënte më të lehta gjërat kur më bërtisnin prindërit”- u shpreh Rama.

Duke iu referuar një fotoje ku është me nënën e tij Anetën, Rama tregoi se kjo foto është në një studio të skulpturës ku është Muntaz Dhrami, “shoku i armëve të tim eti, bashkë me Shaban Hadërin dhe Hektor Dulen, ishin të tre që kanë marrë pjesë në realizimn e veprave të mëdha”.

Ai tha se, babai ishte i apasionuar pas fotove dhe kishte një aparat fotografik dhe studio laboratori të vogël dhe ai na i bënte të gjitha fotot familjare.

Për një foto me babain, Rama tha se “babai im ishte figurë qendrore në jetën time dhe unë atij i kam një borxh shumë të madh në sensin që falë atij unë u bëra njeri i lirë”.

“Në kuptimin që ai nuk imponohej, natyrisht ne kishim shumë debate, por asnjëherë ai nuk përdorte autoritetin si  baba për të më thënë pusho. Apo ndalo. Gjithmonë ai ishte i hapur dhe më ka lënë hapësirë që të jetoja në  gravitetin e mendimeve të mia. Thonte gjithnjë që këto mendime mund të marrin më qafë, por është mendimi yt”, vijoi Rama.

Rama ka rrëfyer bisedën me ish-presidentin e Amerikës, Donald Trump dhe batutën që i tha për arkitektin që bëri Trump Tower në Chicago.

“Kur ishim në Bruksel në takimin që u bë Samiti i NATO-s dhe u inagurua headquarteri i ri i NATO-s dhe po shihnim të gjithë, i them, Zoti President, e di kush e ka bërë këtë? Jo tha. E ka bërë i njëjti arkitekt që ka bërë Trump Tower në Chicago. Po bën shaka tha. Jo i thashë. Më thotë mua, e shikon çfarë bëjnë këta, në vend që të blejnë avionët e mi, vjedhin arkitektët e mi”, tha Rama për Trump.

Ai foli edhe për presidentin francez, Emanuel Macron, për të cilin tha se do të jenë miq pasi kanë një marrëdhënie tepër të ngushtë.

“Është nga të paktët që do kem marrëdhënie dhe kur unë mos të jem kryeministër e ai president. Kemi një marrëdhënie miqësore komunikimi dhe sigurisht kemi edhe disa kujtime deri tani, por është një inteligjencë mbresëlënëse. Ai është shumë i interesuar për Ballkanin dhe është një temë që i intereson shumë. Pastaj flasim për historinë  e politikës franceze, për personazhe”, tha Rama për Macron.

Ndërsa për biznesmenin George Soros, Rama hodhi poshtë zërat se ai na kontrollon duke thënë se nuk ka asnjë interes financiar në Shqipëri.

“Soros me Shqipërinë ka pasur lidhje të kahershme si në shumë vende të tjera. Ka bërë investime që ishin të pamundura në atë kohë, shkolla. Pra ka qenë një krah i ministrisë së Arsimit në vitet ’90 dhe sidomos pas vitit ’97. Ndërkohë ishte njeriu që të gjithë të rinjtë qofshin të gazetarisë apo asaj që filloi të formohej si shoqëri civile të kishin mundësi për të udhëtuar jashtë për punët e tyre. Të kishin mundësi për projektet e tyre. Sorosi nuk ka pasur dhe as nuk ka interes financiar në Shqipëri, zero. As për të investuar, as për të përfituar”, tha Rama.

Sa i përket konspiracionistit Alfred Cako, u shpreh se i shkruan vazhdimisht, por e cilëson si personazh simpatik.

“Më shkruan herë pas here, më paralajmëron për ardhjen e apokalipsit por është personazh shumë simpatik. Teoritë e tij janë poezi që mund të konsiderohen si pjesë e fantazisë dhe e dellit krijues të njeriut”, tha kryeministri.

Ndërsa teorisë së tij se Edi Rama nuk është i vërtetë, por kloni i tij, iu përgjigj: “Pikërisht pra. Sidomos dhe tani që kam bërë botoks”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.