Porti turistik i Durrësit në qershor në kantier/ 8 porta nga ajri e qielli për ekonomi me më tepër punësim

TIRANË, 18 prill/ATSH/  Porti turistik i Durrësit, investim prej 2 miliardë euro, është një plan ndërtimi  që do të nisë në pak muajt e ardhshëm.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me banorë të Kukësit, pas uljes për herë të parë të avionit në aeroportin ndërkombëtar ““Zayed – Flatrat e Veriut”.

“Nga ana tjetër kemi kënaqësinë e madhe të jem këtu me një mik shumë çmuar që mund ta them me gojën plot që është mik i çmuar i imi dhe i Shqipërisë është një prej njerëzve më të afërt me Princin e Kurorës dhe është këtu në këmbë të tij. Me të do të bëjmë portin e madh turistik të Durrësit, cili do të jetë porti më i madh turistik i Mesdheut, një investim që nuk është një dëshirë apo ide, por një investim që është një plan. Është një plan ndërtimi dhe që do të nisë në pak muajt e ardhshëm/ Ne besojmë se brenda muajit qershor do të jemi në kantier dhe pastaj investimi do të vazhdojë. Janë 2 miliardë euro që do të investohen”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “por nuk është vetëm porti turistik i Durrësit është edhe porti turistik i Vlorës, ai i Sarandës që ka filluar edhe i Shëngjinit që ne besojmë se do të nisë në 2023. Shqipëria me 4 porta nga qielli se përveç Tiranës që do të jetë një portë e re sepse do të zgjerohet me terminalin e ri, me pistën për të siguruar fluturime për çunat e Amerikës dhe këta të Londrës i sollëm në Kukës, por i kemi thënë atyre të Amerikës se do t’i sjellim në Tiranë me Fan Nolin dhe ne do ta bëjmë këtë”.

“Janë 8 porta, 4 porta nga qielli dhe 4 nga deti dhe 2 porta të reja për tregti në Durrës dhe Vlorë me portet. E kuptoni se çfarë Shqipërie do të kemi në 4-5-6 vitet e ardhshme.  E kuptoni se çfarë transformimi është përgatitur rrugës dhe është tanimë rrugës dhe çfarë ekonomie do të kemi, një ekonomi shumë më gjithëpërfshirëse, një ekonomi me shumë më tepër punësim, por mbi të gjitha siç thotë miku im Muhammed El Alabbar me vende pune cilësore. Vetëm në portin e ri turistike të Durrësit janë 12 mijë vende pune nga fillimi deri kur të vijmë në proceset e menaxhimit”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “llogariteni edhe pjesën tjetër të investimeve që nuk po përmend të gjitha është një paketë 10 miliardë euro për të investuar në Shqipëri në 4-5-6  vitet e ardhshme. Pse e them këtë 5-6 se jo gjithmonë investimet shkojnë sipas kalendarit, ndodh diçka, pengesë, etj dhe kjo paketë do të thotë një transformim i madh”.

Më tej Rama u shpreh se “ne patëm një periudhë të tmerrshme me tërmetin dhe pandeminë”.

“Ne u përballëm me dy goditje që do kishin shtrirë për tokë një elefant. Ne luftuam me vendosmëri dhe sot mund të themi që ne ia dolëm të shikojmë dritën të zmadhohet në fund të tunelit të pandemisë. Kur ia dolëm aty ku të tjerë edhe më të fuqishëm se ne nuk ia kanë dalë dot akoma, si nuk ia dilkemi ne, që diellin që po shkëlqen përsëri ta bëjmë jo vetëm diellin e mrekullueshëm për turistët që vijnë, por për ata që kanë më shumë mundësi, por ta bëjmë edhe diellin që ngroh çdo shtëpi shqiptari në jug dhe në veri”, theksoi Rama.

“Patjetër që mund ta bëjmë dhe nuk diskutohet që ne do ta bëjmë. Ne do ta bëjmë se ne kemi misionin ta ngjisim Shqipërinë në atë majë që fëmijët tanë meritojnë. Ne kemi misionin të jemi gjenerata që të realizojë atë amanet që e kemi nga gjenerata pas gjeneratash dhe që është vonuar e vonuar ndërkohë që Zoti i ka dhënë shqiptarëve gjithçka që i duhet”, – tha Rama./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.