Nëse Petrit Malaj zgjidhet deputet, vizita e parë pas 25 prillit në Tropojë për të folur për projektet

TIRANË, 18 prill/ATSH-Maela Marini/ “Nëse ju zgjidhni Petrit Malajn deputet, të parën vizitë si kryeministër pas 25 prillit do ta bëj në Tropojë dhe natyrisht jo për të mbajtur fjalime, por për t’u ulur dhe për të thënë çfarë do bëjmë, si do bëjmë dhe kur do e bëjmë”.

Kështu deklaroi sot nga Tropoja, Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur kërkesave të kandidatit të PS-ë në Tropojë, Petrit Malaj për disa problematika që duhen zgjidhur.

“Dua t’i marr fjalën kryeministrit për 2-3 gjëra. Së pari, këtu kemi një spital që nesër qeveria juaj duhet ta rikonstruktojë. Është një rrugë që e përmenda: Zogaj-Qafë e Prushit që duhet ta asfaltojmë. Ma keni thënë ju në zyrë, e treta, unaza e bjeshkëve që është jetë për këta njerëz se 6 muaj i kalojnë në bjeshkë. Rrugën e ka hapur Rexh Biberi, por duhet rregulluar. Dhe një gjë, këta qytetarë shkojnë në Kukës për të marrë një vulë, shkojnë në prefekturë për ta vulosur. Për të kolauduar makinën nga Bajram Curri shkojnë në Kukës”, i tha Malaj Kryeministrit.

Rama tha se “nëse do të ishte Luli këtu do të thoshte: Petrit jam i shqetësuar, janë shumë pak këto, do bëjmë më tepër”.

“Nuk di të premtoj pa i parë tamam si janë etj. Por nëse sidoqoftë, edhe sikur prapë këtu të vazhdojë kërkesa për sapunë e djathë unë do vazhdoj të bëj, se Tropoja është një nga ato pjesë të Shqipërisë që janë potencial i madh, janë një motor për ekonominë tonë”, tha Rama.

Ndërsa për të gjitha këto që tha Petriti, Kryeministri tha se “nëse ju do ta bini Petritin në parlament, unë të parën vizitë si kryeministër pas 25 prillit do ta bëj në Tropojë dhe natyrisht jo për të mbajtur fjalime, por për t’u ulur dhe për të thënë çfarë do bëjmë, si do e bëjmë dhe kur do e bëjmë”.

“Jam gati të vijë sapo të dali rezultati. E pashë rezultatin se Petriti është deputet, më keni këtu”, shtoi Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.