Mbërrijnë 50,000 doza të vaksinës AstraZeneca/ Manastirliu: Javën tjetër nisim vaksinimin e punonjësve të transportit ajror

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Në aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” mbërritën sot 50,000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj dhe ambasadori i Republikës së Indisë në Bukuresht, Rahul Shrivastava ishin të pranishëm në aeroportin “Nënë Tereza”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se “sot kanë mbërritur edhe 50 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, të cilat do të jenë pjesë e procesit të validimit dhe më pas do të shpërndahen në të gjitha qendrat shëndetësore dhe në qendrat masive të vaksinimit, për të vijuar vaksinimin masiv të popullatës +60 vjeç”.

“Bashkë me vaksinat e ardhura dje janë mbi 400 mijë vaksina të mbërritura janë mbi 320 mijë doza vaksina të administruara dhe mbi 230 mijë të moshuar që kanë marrë dozën e parë të vaksinës. Javën që vjen duke filluar nga nesër presim mbi 200 mijë doza vaksina dhe do vijojmë me vaksinimin masiv në qendrat shëndetësore qoftë në pikat e ambulancës ku ka pika të vaksinimit edhe në qendrat e vaksinimit të përqendruar”, – tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “po vijojmë vaksinimin e operatorëve turistikë, me punonjësit të tyre dhe do të shtrihemi duke filluar nga  javët e ardhshme edhe në targetin e punonjësve të transportit publik duke filluar javën që vjen me punonjësit e transportit ajror të “Air Albania””.

“Jemi në një situatë e cila konsiderohet me një incidencë të ulët sa ipërket rasteve të reja ditore. Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme, janë 175 pacientë që po trajtohen në dy spitalet Covid 1 dhe 2 në Tiranë dhe në tre spitale rajonale. Ndërkohë që Covid 3 dhe 4 nuk kanë më pacientë, por janë në gatishmëri. Situata paraqitet e kontrolluar, kërkohet kujdes, të mbajmë maskën, distancën, higjienën, sepse drita në fund të tunelit është më e qartë se asnjëherë tjetër”, – tha Manastirliu.

Ministri Ahmetaj u shpreh se “avioni i parë u ul në Kukës ndërkohë avionët me vaksina do vijnë sot e nesër e në vijimësi.Ne do vazhdojmë të vaksinojmë qytetarët e Shqipërisë duke e larguar, duke e mundur ditë pas dite pandeminë”.

Aktualisht janë rreth 490 mijë vaksina të mbërritura në Shqipëri, ndërsa priten mbi 200 mijë vaksina të tjera në ditët në vijim./k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.