Malaj: Ato që nuk u bënë për 30 vjet janë vepra realitet në qeverisjen e Edi Ramës

 

TIRANË, 18 prill /ATSH/ Kandidati i PS-së në Tropojë, Petrit Malaj u shpreh se “rindërtimi po rehabiliton lagje të tëra në zonat ku ra tërmeti, po ashtu vaksinimi masiv i popullatës kundër pandemisë po vazhdon, falë punës së palodhur të kryeministrit Edi Rama”.

Duke marrë fjalën në takimin që zhvilloi të dielën me banorë të Tropojës kryeministri Edi Rama, Malaj tha se “gjatë kësaj fushate elektorale kam takuar shumë njerëz dhe kam dëgjuar për shumë halle të tyre”.

“Premtimi im është se unë do të jem një zë i fuqishëm në Parlament për mbrojtjen e interesave të banorëve të këtyre zonave dhe zë i fuqishëm që së bashku me qeverinë e PS-së, do të bëjmë ndryshim”, u shpreh ai.

“Unë dua të jem përfaqësuesi i Malësisë së Gjakovës, i Kukësit dhe Hasit për të çuar përpara projektet në infrastrukturë, ndërtim rrugësh, rikonstruksion shkollash, çerdhesh dhe rehabilitimin e linjës energjetike që ka vite pa u vënë dorë. Me investimet që bën qeveria, Edi Rama ka treguar që ato që nuk u bënë për 30 vjet janë vepra realitet në qeverisjen e tij”, theksoi Malaj.

“Vetëm me punë mund të arrihen. Unë i kam kërkuar kryeministrit që të kthejë më shumë vëmendjen në investime për zonën tonë. Rilindja Urbane ka sjellë transformimin e shëtitores së qytetit si asnjëherë më parë, apo ujësjellësi i ri i Valbonës. E pra puna ka nisur ndaj votoni PS-në që të vijojmë me projektet në shërbim të jetës më të mirë për banorët e këtyre zonave”- deklaroi Malaj. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.