Kryetarët e LSI në Belsh dhe Cërrik japin dorëheqjen dhe kalojnë me Partinë Socialiste

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë një goditje të rëndë në qarkun e Elbasanit.

Prej disa ditësh Kryetari i LSI në Cërrik Astrit Xhelili dhe ai i Belshit Zenun Bullari janë larguar nga radhët e LSI dhe i janë bashkuar Partisë Socialiste.

Në fjalën e tij në një takim në Cërrik Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste Taulant Balla falënderoi Astrit Xhelilin dhe Zenun Bullarin për vendimin e tyre për t’u larguar nga LSI dhe që ju bashkuan Partisë Socialiste.

“Dua të falenderoj Astrit Xhelilin, i cili është këtu bashkë me ne e që ka drejtuar LSI për shumë vitesh dhe prej ditësh ka vendosur të jetë pjesë e mbështetjes së Edi Ramës dhe PS. Faleminderit Astrit që e le drejtimin e LSI, sepse ishte drejtim i gabuar dhe mirëserdhe në PS”, – tha Balla.

Më tej Balla u shpreh se “ndërkohë dua të falënderoj edhe kryetarin tjetër të LSI-së, Zenun Bullarin të zonës së Belshit, i cili dhe ai ka vendosur të largohet nga LSI dhe të mbështesë PS dhe Edi Ramën më 25 prill. Atë që Lulzim Basha e harroi rrugës, çuarjen e LSI për skrap, besoj që në Cërrik dhe Belsh po e bëjmë më së miri”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.