Kampionati simbolik i të rinjve demokratë/ Bardhi: Do ta rikthejmë traditën e pasur të sportit në Elbasan

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Të rinjtë demokratë të qarkut të Elbasanit organizuan një minikampionat futbolli.

Në ceremoninë e mbylljes, ishte i pranishëm drejtuesi politik i PD-së në këtë qark, Gazment Bardhi, kandidatët për deputetë dhe kordinatori Kombëtar i PD-së për Sportet, Andi Lila.

Gazment Bardhi u shpreh se “PD, nesër në qeverisje, do të rikthejë traditën e pasur të Elbasanit dhe bashkive të tjera, në sporte”.

“Tani, ndeshjet i kanë edhe fitoret edhe humbjet. Elbasani është dega më e madhe ka shumë vota e do të na i prijë fitores në gjithë qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 25 prillit. Fitorja juaj është ogur i mirë. Si rregull, presim nga Peqini që të jetë në vend të dytë edhe në zgjedhje”, tha Bardhi.

Në fakt, vijoi ai, “ne kishim planifikuar të bënim një takim për sportin, edhe për faktin që Elbasani e ka pasur në traditë, por për fat të keq, si në çdo gjë që ka qënë traditë, këto tetë vite e ka humbur”.

“Do t’i japim Elbasanit, por edhe Shkumbinit, Peqinit dhe gjithë ekipeve të qarkut atë vend që kanë pasur në historinë e futbollit shqiptar. Sa herë është PD në pushtet, Elbasani është në vend të parë, Peqini është në vend të parë, Shqipëria është në vend të parë. Sa herë vijnë këta, Shqipëria gjithmonë është e fundit, prandaj është shumë e rëndësishme data 25”, u shpreh Bardhi.

Ish-ylli i Kombetares, Andi Lila tha se PD do të investojë në fushën e sporteve, me projekte konkrete e serioze, dhe jo me mashtrime të tipit, Shkumbini Channel. “Partia Demokratike, mbas datës 25 prill, do ta ketë sportin prioritet”, tha Andi Lila./m.m/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.