GJERMANI – Ceremoni kombëtare në kujtim të viktimave nga COVID-19

BERLIN, 18 prill /ATSH-AFP/ – Gjermania nderon sot kujtimin e rreth 80 000 bashkëqytetarëve që kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19 gjatë një ceremonie në kuadër të solidarizimit me famuljet e viktimave që humbpn jetën në vetmi për shkak të virusit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti Frank-Walter Steinmeier do të marrin pjesë në një meshë në Kishën Përkujtimore Kaiser Wilhelm, një vend emblematik në Berlin kushtuar paqes dhe pajtimit.

Më pas, ata do të marrin pjesë në një ceremoni që do të transmetohet nga televizionet publike rreth orës 11:00 GMT në Konzerthaus, një sallë koncertesh në qendër të Berlinit, ku Steinmeier do të mbajë një fjalim.

Numri i të ftuarve do të jetë i kufizuar për shkak të krizës shëndetësore.

“Është shumë e rëndësishme të nderojmë kujtimin e të gjithë atyre që kanë humbur jetën gjatë pandemisë duke përfshirë këtu dhe ata që kanë humbur jetën në vetmi”, deklaroi presidenti me njoftimin e këtij përkujtimi kombëtar.

Në të njëjtën kohë, krerët e 16 rajoneve gjermane ftuan popullsinë të vendosë simbolikisht një qiri në dritare çdo mbrëmje të kësaj fundjave.

“Ne dëshirojmë të kuptojmë se çfarë kemi humbur”, deklaruan ata në një thirrje të përbashkët, por gjithashtu së bashku të gjemë forcë dhe shpresë.

Disa vende kanë mbajtur tashmë homazhe kombëtare për viktimat e pandemisë, veçanërisht SHBA-ja, Britania e Madhe, Spanja apo Italia.

Në vende të tjera, si Franca, çështja e kalendarit për një përkujtim të tillë, që kërkojnë shoqatat dhe të zgjedhurit, vazhdon të mbetet debat./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.