Fluturimi i parë/ “Lasgushi” prek pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Kukësit “Zayed – Flatrat e Veriut”


TIRANË, 18 prill/ATSH/ “Lasgushi” i Air Albania u ul sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit “Zayed – Flatrat e Veriut”, duke shënuar fluturimin e parë zyrtar drejt këtij aeroporti.

Ashtu siç kishte premtuar kohë më parë Kryeministri Edi Rama, të parët që prekën pistën e Aeroportit të Kukësit ishin emigrantët kuksianë që jetojnë në Londër, madje siç ka thënë shpesh kreu i qeverisë, prioritet për të fluturuar falas do të kishin veçanërisht skeptikët e këtij projekti.

Bashkë me ta, Kryeministri Rama zgjodhi të ishte vetë në bordin e avionit të nisur nga Rinasi, në respekt të rregullave ndërkombëtare të fluturimeve.

Aeroporti i Kukësit është ndërtuar dhe studiuar mbi bazën e konceptit për t’i shërbyer trevave shqiptare, si të Shqipërisë, Kosovës, por edhe Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Aeroporti i Kukësit do të jetë i dedikuar për kompanitë low cost, që ofrojnë shërbime cilësore me çmime të ulëta.

Të punësuarit në këtë aeroport do të jenë nga zonat rreth Kukësit, përveç atyre pozicioneve që kërkojnë trajnime apo licencime të specializuara.

Aeroporti i Kukësit ka një territor prej 512 mijë metra katrorë, me një gjatësi piste prej 1900 metrash dhe gjerësi 45 metra. Kategoria e tij është 3C, për akomodimin e avionëve turboprop dhe avionëve me turbina rajonalë. Kapaciteti i projektuar është rreth 1 milion pasagjerë në vit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.