“E vetmja gjë që Saliu i la Tropojës ishin lejet për 11 HEC-e në Valbonë”/ Kam bërë për Tropojën disa herë më shumë se PD

 


TIRANË, 18 prill/ATSH-Maela Marini/ “Nëse ka një vend ku Sali Berisha ka borxh është Tropoja”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa theksoi se “e vetmja gjë që Saliu i la Tropojës ishin 11 leje për 11 HEC-e në Valbonë”.

Në një takim me banorë të Tropojës, Rama tha se “Saliu nuk ka bërë asnjë gjë për Tropojën”.

“Saliu Tropojës i dha 11 leje për 11 diga, HEC-e në Valbonë dhe pastaj digat e Saliut më ngelën mua. 11 diga nga të cilat me shumë vështirësi se ishin të gjitha leje të dhëna anuluam 9. Dy të tjerat ishin në kantier dhe ishin e pamundur nga pikëpamja ligjore. Këtë i ka bërë nga pikëpamja e punës Saliu Tropojës”, tha Rama.

Rama tha se për Tropojën e kam pasur nder të bëj, ndërsa kujtoi kohën kur kryebashkiak ishte një i PD-së. “Kur këtu ishte kryetar bashkie një demokrat, Besniku, ai ishte një person që erdhi më takoi dhe më tha kam disa projekte për Tropojën. I thashë për Tropojën unë e kam për nder të bëj gjithçka mundem dhe hajde t’i bëjmë projektet. Nuk vura fare asnjë lloj kufiri mes meje dhe tij meqë ai ishte me PD”, tha Rama.

PD, vijoi Kryeministri, “nuk është një shpellë e mbushur me kundërshtarë dhe njerëz që i përkasin një bote tjetër, por në PD ka plot njerëz të mirë”.

Por, Rama tha se “problemi i PD-së është koka”. “Ishte koka kur kishte kokë, tani që është pa kokë imagjinoje çfarë problemi është”, tha ai.

“Nuk është bërë ndonjë gjë për të thënë: shikoni sa shumë bëmë ne, dilni rrugëve dhe na duartroksini, por për Tropojën unë dhe PS në këto vite, edhe pse na hyri në mes edhe një tragjedi e madhe me dy akte, tërmeti dhe pandemia, kam bërë disa herë më shumë se Sali Berisha dhe PD. Këtë nuk mund të ma diskutojë asnjë tropojan që i mban gishtat lart edhe kur fle gjumë. Ndryshe të ma tregojë dhe të më thotë se çfarë bëri Sali Berisha. Vetëm mos të më thotë na solli demokracinë se aty nuk kam çfarë flas”, tha Rama.

Rama tha se “kur kam ardhur në Tropojë për mua ishte një rikthim”.

“Unë në Bajram Curri kam qenë shumë vite më parë, kemi shëtitur gjithë Tropojën falë edhe miqësisë të ngushtë që kisha me piktorin Nazmi Hoxha. Për mua ishte rikthim dhe jam shokuar kur u riktheva kur u zgjodha kryetar i PS-së. Ishin vitet 2005-2006 dhe ishte shumë vite pasi kisha qenë këtu, thuajse 20 vjet dhe Bajram Curri ishte më keq se sa e kisha parë unë para 20 vitesh me gropa, pluhur, plehra, dëshpërim. Asnjë gjë. Realisht u trondita, por mendova, thashë Saliu do bëjë ndonjë gjë tani se nëse ka një vend ku ai ka borxh është Tropoja”, tha Rama.

Duke folur për kandidatin e PS-së në Tropojë, Petrit Malaj, Rama tha se “unë e kam njohur Petritin shumë vite më parë, kemi qenë bashkëstudentë në Institutin e Artëve”. “Petriti ka qenë gjithmonë një djalë që e donin të gjithë. Kur të duan të gjithë, mund të jesh vërtetë shumë i mirë, ose je dikush që të duan se iu vjen keq. Në rastin e Petritit e donin të gjithë sepse të gjithë thonin qysh atëherë, që në atë kohë, edhe unë, edhe Petriti i kishim të gjitha flokët, Petriti i ishte të verdha, unë i kisha të zeza e megjithëse nuk i kishim këto shtesat e pjekurisë, për Petritin të gjithë thonin “ai është burrë””, tha ai.

Sipas Ramës, “ka qenë këmbëngulja e disa shokëve këtu që unë të flisja me Petritin, sepse unë nuk doja që t’ia bëja këtë kërkesë, pasi unë e di shumë mirë që Petriti është në një pozicion të rëndësishëm prej vitesh”.

“Nga ana tjetër e di shumë mirë që këtu është një ndeshje shumë e fortë dhe nuk doja ta shqetësoja me propozimin për të marrë përsipër këtë sfidë. Insistimi i shumë njerëzve këtu, por edhe nga të gjithë anketimet, sondazhet që ne bëmë në Qarkun e Kukësit më bindën që duhet t’ia bëja Petritit këtë kërkesë. Ishte qartësisht njeriu më i mbështetur nga ata qytetarë që u pyetën për një sërë emrash. E thirra Petritin dhe i thashë se kjo është një sfidë e madhe e natyrisht, nuk po shkon atje i fituar, por, nëse e ndjen që është diçka që ti mund ta bësh, unë do isha shumë mirënjohës dhe Partia Socialiste do ishte shumë e nderuar”, shtoi ai.

“Petriti tha vetë një fjalë, – unë nuk kam çfarë të mendohem, mendohu ti”. Sepse unë jam i gatshëm të shkoj  dhe nuk e kam problemin tim bëhem apo jo deputet, sepse nuk jam këtu duke të dhënë përgjigje se dua të bëhem deputet, por jam këtu duke të dhënë përgjigje që dua të jem i dobishëm për ata njerëz atje, sepse ata janë njerëzit e mi. E për njerëzit e mi jam i gatshëm të shkoj, ta bëj fushatën, t’i takoj derë më derë, ky që jam dhe me mundësitë që kam. Por duhet të mendohesh ti sepse unë nuk dua të jem thjesht Petrit Malaj që po shkon po merr votat, por nesër dua të jem për ta, njeriu që nuk ua ktheu kurrizin pasi i mori votat, apo që ata të mendojnë që unë nuk po ua bëj atë që ata kërkojnë prej meje për shkakun tënd. Duhet të më japësh fjalën që, nëse unë do të jem në Kuvend si përfaqësuesi i tropojanëve të mi – këtë shprehje përdori – dhe i Qarkut të Kukësit, atëherë ti do bësh edhe më shumë për Tropojën dhe Kukësin”, shtoi Rama.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.