“Drejtues SHIK-u, drejtorë bastesh dhe shefa që përdorën policinë për grabitje”/ Patronazhistët e dinë kush fshihet pas xhamave të errët të makinave që shoqërojnë opozitën

TIRANË, 18 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “patronazhistët e dinë shumë mirë se kush fshihet pas makinave me xhama të errët që shoqërojnë karvanin e opozitës”.

Në një takim me të rinjtë e Tiranës, Rama tha se “mesazhi im për ata që merren me patronazhistët, duke filluar nga Ilir Meta është: patronazhistëve t’ju merrni të keqen”.

“Mos e harroni asnjëherë, patronazhistët ju njohin kush jeni. As mos ta çoni nëpër mend se patronazhistëve tanë jua fshihni mendimet tuaja. Ne ju njohim kush jeni dhe po vijmë pas jush dhe në 25 prill ju do ta shikoni sa mirë ju njohim ne. Edhe ju do të habiteni se kur votat të fillojnë të numërohen. Ju do ta kuptoni se pse ne ju kemi mundur, ju mundim dhe do t’ju mundim se PS nuk është Edi Rama. Edi Rama është vetëm patronazhisti më i gjatë”, tha Kryeministri.

Rama tha se “ana tjetër e medaljes është se patronazhistët tanë nuk kanë makina të shtrenjta”.

“Nuk ka asnjë patronazhist me Hummer, me Ferrari, Range Rover, Toyota dhe me Lamborgini. Ata kujtojnë se po ikin përpara duke u futur në karvan me Lamborgini dhe duke bredhur në Shqipëri. Patronazhistët tanë nuk bredhin, ecin dhe ndalojnë, ecin dhe ndalojnë, sepse në çdo hap marrin shënime, kush je, si e ke emrin, si duket situata, për kë ke votuar më parë, për kë do votosh kësaj here, po mami, babi ç’thotë… Ndërkohë që ata kujtojnë se Shqipëria është rrugëve duke pritur në çdo cep karvanët me LamborMoni”, tha Rama.

Por, vijoi ai, “kush janë, dhe kjo është serioze, brenda atyre makinave që shoqërojnë Lulin në turin motoçiklistik me 4 rrota nga një anë në një tjetër”.

“E keni pyetur veten kush janë brenda në ato makina? Janë ata shqiptarët që nuk kanë bukë, nuk kanë punë? Janë ata shqiptarët që besojnë tek puna, tek sipërmarrja e tyre e vogël, besojnë tek shkolla e tyre, gjuhët e huaja, teknologjia dixhitale, puna me tokën, eksportet bujqësore? Kush janë në ato makina?”, tha Rama.

Patronazhistët e dinë se kush janë aty brenda, tha ai. “Nuk ka xhama të zinj që ju fshehin sepse sytë e patronazhistëve janë me rreze lazer dhe ai opsioni Face Recognition është në sytë e çdo patronazhisti. Unë i them disa drejtuesve të SHIK-ut të kohës, drejtuesve të doganave dhe tatimeve të kohës, asaj kohe që nuk ka për t’u kthyer në 25 prill, disa shefave të asaj policisë së kohës që i lanë policët rrugëve duke ngrënë fara luledielli në kryqëzime dhe për vete e përdorën uniformën e policisë për grabitje. Ne e dimë se ju jeni në ato makina”, tha Rama.

“Edhe atij drejtorit të basteve të kohës, bashkë me vullnetarët që kanë humbur licencat e basteve, u them: ne jua dimë targën e makinave. Dhe kur them ne, jo regjimi, por patronazhistët”, vijoi ai.

Rama tha se “e di shumë mirë çfarë do ndodhi pas kësaj”.

“Mbajeni mend këtu. Bastet janë të ndaluara në Shqipëri, por me të mbaruar kjo do të vijë një klithmë nga Vlora. Vetë ai. Dhe do thotë: ‘Po më detyroni të bëj atë që se kam menduar kurrë, të përfshihem në fushatë bashkë me doktorin e madh, po më detyroni’. Që ti je futur kokë e këmbë në fushatë këtë e di çdo patronazhist, por atë që ti nuk di dhe patronazhistët e dinë dhe nuk ka patronazhist që nuk e di është se ti do të dalësh nga kjo fushatë i rruar dhe i qethur”, tha Rama, ndërsa shtoi se “prandaj nuk keni për ta marrë vesh ju çfarë do të jetë gjithë ai breshër votash në 25 prill”.

“Ju jeni patronazhistë, si ju ka plot të tjerë. Në këto ditë kjo fjalë është lakuar shumë, por prej disave përdoret si fjalë për të krijuar idenë e një gogoli që ka dalë në Tiranë dhe vëzhgon, monitoron, kontrollon njerëz. Patronazhisti nuk është një figurë që u shpik në Shqipëri, që e krijuam ne. Patronazhisti është figura kyçe e historisë së zgjedhjeve dhe përballjeve mes dy partive më të mëdha të botës, Partisë Republikane dhe Partisë Demokratike në SHBA”, tha Rama.

Ai tha se “patronazhisti është ai që angazhohet që aty ku jeton, i kërkohet të trokasë në një numër të caktuar dyersh, të kontaktojë, të komunikojë me kategori moshore, me një numër të caktuar, dhe të mbajë shënim se çfarë perceptimi ka nga ata që kontaktohen, nëse janë majtas, djathtas, të lëkundur e me radhë”.

“Le të thonë çfarë të duan ata, por patronazhimi është klasa e parë e shkollës së madhe politike, ku kush ka ambicien, dëshirën, vullnetin, këmbënguljen pët të shkuar në klasa më të larta e fillon nga patronazhimi. Dikush tjetër, vazhdon të jetë patronazhist edhe 60 vjeç, si aktivist i familjes politike”, tha ai.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.