Djali i Hashim Thaçit reagon pas deklaratave të Ramës: Hapja e aeroportit impresionues në Kukësin vëllazëror

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, reagoi sot pas deklaratave të bëra nga Kryeministri Edi Rama nga aeroporti i Kukësit “Zayed Flatrat e Veriut”.

Në një reagim Endrit Thaçi falënderon Kryeministrin Rama për fjalët, ndërsa thekson se, “falënderoj z. Rama, Kryeministrin e Shqipërisë për fjalën e kujtimeve për babin. Të jeni të sigurtë që babi përcjell me vëmendje dhe shumë gëzim sukseset e juaja në Shqipëri, përfshi hapjen e aeroportit impresiv në Kukësin vëllazëror. Dhe keni të fala nga ai”.

Kryeministri Rama në fjalën e tij sot me rastin e uljes së avionit të parë Kukës tha se, “me këtë rast dua të ndaj me ju e që më mungon shumë sot, dikush që unë e konsideroj një prej shqiptarëve më të mëdhenj. Jam i bindur që historia të tillë do ta konsiderojë. Më mungon shumë dikush që është një prej shqiptarëve të mëdhenj jo se është vëllai im, po është vëllai im se është një prej shqiptarëve të mëdhenj, Hashim Thaçi.

“Prej këtu, nuk e di a më ndjek, nuk e di a do të mund të më ndjekë, por do dëshiroja t’i çoja një përqafim dhe do dëshiroja t’i thosha se në muret e këtij aeroporti gjendet edhe një moment i historisë së shqiptarëve. Momenti kur Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova, të ulur së bashku i hapën rrugë procesit pa kthim të çlirimit përfundimtar të Kosovës”, – tha Rama. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.