Basha nga Hasi: Pa larguar Ramën nuk ka ndryshim, trau i Rrugës së Kombit do të hiqet

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndalesën e radhës e pati në Has ku ka bërë thirrje për një bashkim të madh drejt ndryshimit. Basha tha se vota për numrin 9 do të bëjë të mundur heqjen e traut tek Rruga e Kombit, luftimin e varfërisë dhe përmirësimin e infrastrukturës në Has.

“Më 25 prill Rama humb, Shqipëria fiton, shqiptarët fitojnë, Hasi fiton duke votuar numrin 9. Hasjanë e kuksianë, tropojanë e gjakovarë, nga Podujeva në Sarandë, një fjalë e kam thënë dhe do ta mbaj në ditët e para të qeverisë, trau i rrugës së kombit do të hiqet. Ne që punuam me mish e me shpirt për ta bashkuar Hasin e ndarë padrejtësisht nga Tirana dhe Prishtina, të cilëve iu takon bashkërisht, ne nuk do të lejojmë një ndarje të dytë. Një popull bujar dhe fisnik, njihet në ditë të vështira, një popull bujar dhe fisnik dhe është e njëjta fjalë, bujarë dhe fisnikë. Si hasjanët nuk e meriton varfërinë, mungesën e infrastrukturës, mungesën e energjisë elektrike. Lakun e marrëveshjeve të cilat ju marrin nga xhepi qindarka e fundit për të mos ju dhënë asgjë mbrapsht”, tha Basha.

“Edhe 8 vite Hasi e ka provuar Edi Ramën siç e ka provuar e gjithë Shqipëria, 8 vite dështime, 8 vite premtime të pambajtura, 8 vite varfëri, 8 vite shpunësim, 8 vite emigracion, largim masiv i më të mirëve, i djemve të dritës së syrit të nënave të tyre nga Hasi, nga Kukësi, nga Tropoja, o i mjerë që mendon se me një ditë dhe një fluturim mund të lash 8 vite borxh ndaj këtyre banorëve! Që i fyen në mençurinë e tyre, këtë trevë që mençurinë dhe trimërinë ja ka dhënë gjithë shqiptarëve! Nuk e nuk ka për të patur amnisti për dështimet 8 vjeçare të Edi Ramës, sepse shqiptarët janë të bashkuar, të bashkuar janë nënat që kërkojnë ti mbajnë fëmijët e tyre ti edukojnë e ti arsimojnë e ti punësojnë këtu, qytetarët që kërkojnë punë në vendin e tyre, fermerët e Hasit të cilët duan të njëjtin trajtim si fermerët matanë Qafës së Prushit, duan ndryshim dhe ndryshimi është në dorën tuaj më 25 Prill”, vijoi Basha.

“Prandaj këto janë zgjedhjet më të rëndësishme, këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që do të ndajnë njëherë e mirë një pyetje, një pyetje të vetme që shtrohet para gjithë shqiptarëve e para gjithë Shqipërisë, shtrohet para prindërve por ka të bëjë edhe me ata fëmijë të mrekullueshëm të Hasit. A do t’ia hapni derën dështimit edhe 4 vjet të tjera? A do t’ia hapni dyert e familjeve tuaja dështimit e ta lini peng familjen tuaj, ti lini peng fëmijët tuaj edhe për 4 vjet të tjera? Apo do të bëhemi bashkë për ndryshim, ndryshimin që kërkon çdo shqiptar? Shoh këtë shesh të Krumës të mbushur si asnjëherë, të mbushur me qytetarët e Hasit njësoj si një familje e madhe pa asnjë dallim politik, sepse edhe fitorja e 25 Prillit, fitorja e Partisë Demokratike, e Koalicionit për Ndryshim dhe Aleancës për Ndryshim do të jetë fitorja e çdo shqiptari”, tha Basha.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.