Balla takim me gra e vajza në Gramsh: Fokusi në katër vitet e ardhshme do të jetë punësimi

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla vijon me takimet e tij elektorale në Gramsh, ku u takua nga afër me gra dhe vajza të kësaj zone.

Në nisje të fjalës së tij, Balla renditi dy nga çështjet më madhore me të cilat u ndesh qeveria Rama gjatë viteve të fundit.

“Duhet të kalojnë 100 vite që një komb por edhe mbarë globi në fakt, që për shkak të pandemisë të përballet me këto lloj sfidash por Shqipërisë iu vunë dy sprova; sprova e rindërtimit pas tërmetit dhe sprova tjetër e pandemisë. Unë jam shumë krenar që ne kemi mundur t’ju gjendemi pranë të gjitha familjeve të Gramshit të cilat jetojnë prej shumë vitesh në Durrës e që janë një numër i konsiderueshëm që u prekën nga pasojat e tërmetit por që qeveria Rama arriti që të fillojë punën madje edhe t’ju dorëzojë banesat e reja,“- u shpreh Balla.

Një tjetër sfidë me të cilën u përball qeveria Rama, sipas Ballës ishte edhe pandemia e Covid-19. Duke e përshtatur me situatën, Balla foli edhe për rikonstruksionin e spitalit të Gramshit, për të cilin premtoi se do t’i jepet statusi që i takon.

“Përsa i përket pandemisë, numrat këtu në Gramsh janë shumë pozitivë, në kuptimin e numrit të vaksinimit. Ne do të vazhdojmë të vaksinojmë sa të kemi mundësi që të arrijmë, që në fillim të muajit qershor të kemi mundësinë që të hapemi plotësisht, t’i rikthehemi jetës normale. Përveç investimeve në infrastrukturë që kemi planifikuar në Gramsh, ne do ta rikonstruktojmë plotësisht edhe spitalin e Gramshit për t’i dhënë këtij spitali statusin që i takon dhe thënë gjithë kjo, nuk duhet të harrojmë që kemi investuar që ditën e parë që erdhëm në qeverisje të vendit pa ditur çfarë do na vinte në vitin 2020 në sistemin shëndetësor. Mjafton që dikush vetëm të hedhë sytë nëpër fotografi e të shohë se si ishte spitali i Elbasanit dhe si është sot“,- u shpreh Balla.

Balla, në fjalën e tij bëri edhe një paralelizëm të punëve të qeverisë, teksa nuk la pa komentuar edhe opozitën. Sipas tij, nëse kësaj të fundit do t’i jepej mundësia, do të rimerrte edhe njëherë peng Shqipërinë. Prandaj kërkoi mbështetjen për kryeministrin Edi Rama.

“Kemi në krye të vendit një qeveri e cila punon natë e ditë në interes të njerëzve, dhe përballë kryeministrit Rama kemi një gjumash që nuk është për asnjë punë por që pas tij fshihen hienat e politikës së vjetër të këtyre 30 viteve. Ilir Meta dhe Sali Berisha janë gati aty, që nëse u jepet mundësia të rimarrin edhe njëherë peng Shqipërinë ashtu sikurse kanë bërë gjithë këto vite. Prandaj apeli im është jo vetëm për gratë e vajzat e Gramshit por për të gjitha gratë dhe vajzat e Shqipërisë, të cilat e dinë më mirë se kushdo tjetër rëndësinë e reformës në drejtësi që ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë dhe që kjo të mos ndodhë duhet që të mbështesim sa më shumë Edi Ramën,”- pohoi kreu i grupit parlamentar socialist.

Po ashtu, Balla nuk nguroi të përmendë edhe një nga pikat, e cila do të gjejë zbatim menjëherë sapo të marrin mandatin e tretë qeverisës. Fokusi në katër vitet e ardhshme sipas tij do të jetë pikërisht punësimi i sa më shumë grave e burrave.

“Ne na duhet që të paktën në këtë mandat të ri të kemi edhe dy apo tre fabrika të reja punësimi për gratë apo edhe për burrat e këtij qyteti. Është e vetmja mënyrë që ne të arrijmë të ndezim si duhet zinxhirin ekonomik në këtë trevë pa harruar diçka që nuk e kemi përdorur aspak si duhet në dobi të ekonomisë së Gramshit. Bëhet fjalë për pikat turistike të kësaj zone. Është e bekuar zona e Gramshit, kudo ka gjëra të bukura Gramshi por ne kurrë nuk arritur që t’i shesim siç duhet. Ky është faji jonë, është përgjegjësia jonë. Prandaj ne themi që ne nuk kemi arritur atë që kemi dashur sepse në këto dy vite ku ta kishim mendjen më përpara? Ne mblidheshim vetëm për të votuar akte normative, për të riparë buxhetin, për të paguar vaksinat. Tani që e kaluam pjesën më të vështirë, mendoj se jemi gati për të nisur një rrugë të re. Nuk e ka PD-ja në hartë Gramshin. LSI-ja pastaj është më e rëndë akoma, është anti-kombëtare. Unë nuk hezitoj ta quaj, është anti-kombëtare sot t’i japësh votën LSI-së. Këtu në Gramsh na duhet mbështetja juaj,”- tha në mbyllje të fjalës së tij drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Elbasanit, Balla.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.