“Agroturizmi në Tropojë do të lulëzojë”/ Aeroporti i Kukësit do të sjellë shumë mbështetje për fuqizimin e turizmit

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Tropoja është një nga ato thesare akoma të pazbuluara jo plotësisht, por as pjesërisht nga të gjitha ato që duhen që ky popull këtu, por edhe ata që janë larguar ta kenë këtë vend motorin e ekonomisë së tyre familjare.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë takimit me banorë të Tropojës.

“Unë them që sido që të jetë puna Tropoja për mua nuk është një bashki, nuk është një zonë ku investimet e vizioni varen nga kush votohet, se për mua Tropoja është një nga ato thesare akoma të pazbuluara jo plotësisht, por as pjesërisht nga të gjitha ato që i duhen që ky popull këtu, por edhe ata që janë larguar ta kenë këtë vend motorin e ekonomisë së tyre familjare”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se, “shikoni se çfarë ka ndodhur vetëm me rrugën e Valbonës, se çfarë investimesh janë bërë dhe sa shumë akoma do të bëhen. Ky është vetëm fillimi i çeljes së embrioneve të një fushe ku ne kemi mbjellë nga të katër anët”.

Më tej Rama u ndal tek çështja e pronave duke theksuar se, “gështenjat, kush e zgjidhi, ishte një çështje dhjetëravjeçare, sot të gjithë ata tropojanë që janë zot këtu janë në procesin e marrjes së certifikatës së pronësisë. I gjithë pylli i gështenjave, e gjithë ekonomia, me marrjen e pronës do të hyjë në një fazë të re zhvillimi, sepse marrja e pronës dhe zotërimi i titujve të pronësisë do t’i japë mundësi atyre që duan të zgjerojnë sipërmarrjen të ndërtojnë pika grumbullimi, përpunimi, që të mund të kenë akses në financë se nuk mund t’i ndihmonte sistemi financiar kur nuk kishin pronën”.

“Nuk është vetëm gështenja. Tropoja është një nga ato zona, janë të gjitha zonat e Shqipërisë, por Tropoja është një nga ato zona ku agroturizmi do të lulëzojë në vitet e ardhshme. Ku njerëzit duke hapur derën e shtëpisë të gjyshit e babës duke bërë një bujtinë, duke afruar traditën e mikpritjes dhe traditën e ushqimit përmes futjes së një zinxhiri me gjithë produktet e zonës, do të fitojë nga ajo punë shumë më tepër se ç’fitojnë nga puna në emigracion për të tjerët”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “ne do t’i japim çdo emigranti që do të vendosë të investojë kursimet e veta tek shtëpia e babës për të bërë një bujtinë, 5 mijë euro, do i bëjmë amnisti fiskale për të gjitha kursimet që ka, pavarësisht se i ka në bankë apo poshtë krevatit, kjo s’ka rëndësi, mjafton të mos jenë para droge dhe krimi. Mjafton që të jenë fituar me djersë në emigracion që ata nuk i kanë deklaruar, nuk i kanë çuar në bankë, ne do të aministojmë dhe do t’i sjellim këtu dhe do të mund të investojnë”.

“Aeroporti në 17 qershor hyn në sistemin e fluturimeve, ndërkohë marrëveshjet në shumë drejtime do jenë lidhur. Janë disa kompani fluturimesh me kosto të ulët, sepse që kur është krijuar është krijuar për të pasur fluturime me kosto të ulët, dhe janë qysh sot disa kompani që e dinë se do kenë fluturime në drejtim të Anglisë, Gjermanisë, Zvicrës, edhe në qytete ku nuk shkohet nga Tirana, por edhe nga qytete që shkohet patjetër, sepse Londra nuk do evitohet, kjo do të bëjë që jo vetëm njerëzit që jetojnë në këtë zonë në Malësinë e Gjakovës dhe Kosovë, por kjo do të bëjë që shumë turistë, vizitorë të vijnë, sepse për turistët është e vështirë të imagjinojnë se mund të humbasin një ditë për të ardhur në Tiranë e për t’u nisur për të ardhur këtej. Shkurtimi i distancës do të sjellë shumë mbështetje për fuqizimin e turizmit. E kam thënë që ditën e parë, Tropoja do të jetë një nga zonat më të bukura turistike të Shqipërisë”.

“Pavarësisht nga e thënë në të bërë është në mes deti, po kini parasysh se nuk jemi sot këtu përballë njëri-tjetrit pasi kemi pas një periudhe qeverisje të lehtë dhe të kërkosh sot që gjërat të ishin bërë të gjitha siç mund të bëheshin pa hyrë në mes tërmeti e pandemia është njësoj si ta kesh babën sëmurë dhe kur ngrihet nga krevati pse nuk m’i bëre të gjitha ato gjëra që do m’i bëje”, – tha Rama.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.