“Aeroporti i Kukësit, operacional”/ Nga data 17 qershor, totalisht i përdorshëm nga të gjitha kompanitë ajrore

TIRANË, 18 prill/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se “aeroporti i Kukësit është operacional dhe nga sot do të nisë të gjitha testet me kompanitë ajrore”.

Në një takim të organizuar në Kukës, pas uljes së avionit të parë me pasagjerë, Balluku tha se në datën 17 qershor aeroporti i Kukësit do të jetë totalisht i përdorshëm nga të gjitha kompanitë ajrore.

“Ne kemi nisur punë para dy vitesh për ndërtimin e aeroportit të dytë ndërkombëtar në Republikën e Shqipërisë, atë të Kukësit. Ka qenë një punë intensive, pasi unë vij nga bota e aviacionit dhe nuk ka asnjë shans të ndërtohet një aeroport më shpejt se kaq dhe kjo është bërë me një punë të jashtëzakonshme nga të gjithë burrat dhe gratë në Kukës, por padyshim edhe nga një grup që dua ta falënderoj dhe që kanë kontribuar në këtë vepër kaq të rëndësishme duke punuar ditë dhe natë”, tha Balluku.

Ministrja kujtoi se “në vitin 2018 kryeministri Rama nxori një Twitter ku tha se do të kishte një aeroport ndërkombëtar në Kukës”.

“Menjëherë i kam nisur një mesazh duke i thënë se aeroporti i Kukësit ishte një aeroport ushtarak dhe shumë i vështirë për t’u naviguar. Më ka thënë që ju do e bëni, nisni menjëherë nga puna. Për të thënë të drejtën kam pasur dyshimet e mia nëse do të ndërtohej kaq shpejt, por ia kemi dalë”, tha ministrja.

Duke iu drejtuar qytetarëve, Balluku tha se “ju nuk keni asnjë dyshim se aeroporti është atje dhe nuk është 3D”.

“Ju nuk keni asnjë dyshim që Edi Rama di të bëjë punën dhe mban fjalën dhe i bën në kohë rekord. Por për të gjithë ata që do dalin për të bërë analistët e aviacionit i sqaroj se sigurisht në aviacion ka rregulla, ka rregullore europiane dhe mbarëkombëtare, të cilat ne i respektojmë sepse Shqipëria është një vend europian, vend që hedh hapa çdo ditë e më shumë për tu bërë anëtare e BE-së”, shtoi ajo.

Si vend pjesë e Europës, Balluku tha se “ne i respektojmë këto rregulla”.

“Duke nisur nga sot ky aeroport është operacional, ju sapo e patë jeni dëshmitarët e këtij fakti. Duke nisur nga sot në këtë aeroport do të nisin të gjitha testet me kompanitë ajrore që janë në kontakt me operatorin. Do të nisin nga puna për të lidhur kontrata, për të provuar psitën, për të validuar procedurat dhe për ta bërë këtë aeroport sa më tërheqës për të gjithë zonën, jo vetëm prë Kukësin por për gjithë trevat shqiptare rreth e rrotull”, tha Balluku.

Ministrja shprehu bindjen se “Kukësi do të kthehet në një pikë të re zhvillimi ekonomik në Shqipëri”.

Balluku tha se “në datë 17 qershor, kur mbaron afati i publikimit që ne e kemi nisur, aeroporti i Kukësit do të jetë totalisht i përdorshëm nga të gjitha kompanitë”.

“Ky është një aeroport operacional, sapo e kemi faktuar dhe nga ky moment i lihet në dorë koncesionarit që do të lidhë marrëveshje me kompanitë ajrore që nuk janë të pakta. Që këtu do të fluturohet për shumë qytete të Gjermanisë, Anglisë, drejt Zvicrës në mjaft qytete që nuk fluturohet nga Tirana, do të jetë gjeneza e një historie të re për aviacionin civil”, tha ajo.

Ministrja tha se “qeveria Rama ka një plan të mirëfilltë kombëtar për aviacionin civil”, ndërsa shtoi se “në Vlorë do të ndërtohet një aeroport tjetër, aeroporti më i madh në Shqipëri që do të përfundojë si ky i Kukësit”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.