Aeroporti i Kukësit, në një tokë ku është shkruar një faqe e shenjtë e historisë së shqiptarëve

TIRANË, 18 prill/ATSH/ “Aeroporti i Kukësit është edhe i Flatrave të Veriut sepse këtu, në veriun e Shqipërisë, në Kukës por dhe matanë, prej andej nga erdhën motrat dhe vëllezërit tanë, është veriu i shqiptarisë, ku u shkruajt një nga historitë më tragjike, por edhe me fundin më të lumtur, ajo e luftës së Kosovës që solli lirinë dhe pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës”, tha sot kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë për fluturimin e parë në aeroportin e Kukësit.

Ai theksoi se “brenda në aeroport do të gjeni jo vetëm një tribut për atë që ishte ideatori i pistës së solidaritetit, por edhe për ata që ishin në ato kohë shembëlltyra e dhimbjes dhe vuajtjes së një tragjedie, që nuk duam ta harrojmë kurrë, si dhe e një rezistence, e cila është pjesë e karakterit të shqiptarëve që ne kurrë nuk duhet ta humbasim”.

“Aty brenda, çdo i huaj, kushdo që do të vijë nga çdo anë e botës, mjafton të bëj rrugën nga hyrja në chek in, te dalja e aeroportit dhe do ta kuptojë se ka ardhur në një tokë ku është shkruar një faqe e shenjtë e historisë së shqiptarëve”, tha Rama.

Rama tha se “më mungon shumë sot dikush që unë e siguroj një prej shqiptarëve më të mëdhenj”.

“Historia të tillë do ta konsiderojë. Dikush që është një prej shqiptarëve të mëdhenj sepse jo se është vëllai im, por është vëllai im se është një prej shqiptarëve të mëdhenj, Hashim Thaçi. Prej këtu, nuk e di a më ndjek, do të dëshiroja t’i çoja një përqafim dhe t’i thosha se në muret e këtij aeroporti gjendet edhe një moment i jashtëzakonshëm i historisë së shqiptarëve kur Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rrugova, të ulur së bashku i hapën rrugë çlirimit përfundimtar të Kosovës”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.