“Aeroporti  i Kukësit do të gjenerojë investime të tjera”/ Rritja eksponenciale e atyre që hyjnë do sjellë rritjen e shërbimeve

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në 25 prill “ne do të marrim besimin për të vazhduar të jemi këtu dhe do ta shohim sesi nga  aeroporti  i Kukësit do të gjenerohen investime të tjera”.

Në fjalën e tij gjatë takimit me banorë të Kukësit, pas uljes së avionit të parë në aeroportin ndërkombëtar “Zayed – Flatrat e Veriut” , Rama tha se “aeroportet janë për ata që bëjnë xhiro, për ata që kanë lekë, ndërkohë që shqiptarët janë ndër popujt më të lëvizshëm në aspektin e daljes dhe hyrjes për frymë”.

“Jo vetëm kaq atë që duhet të mësojnë ata që flasin për aeroportet si për luks është që aeroportet janë fabrika buke siç nuk e imagjinojnë ata që thonë ne duam bukë, s’duam aeroport. Ka ca të tjerë që thonë për çfarë i duhen Shqipërisë 4 aeroporte, Shqipëria është një vend i vogël. Kroacia është 4 milionë  dhe ka 9 aeroporte dhe Kroacia është fuqia e 7 e botës në turizëm, sepse ka 9 porta nga qielli shfrytëzon të gjithë territorin e vet për njerëzit që duan ta vizitojnë dhe u plotëson një kushte shumë të rëndësishëm atyre turistëve, të cilët kur vijnë nga ajri janë turistë që shpenzojnë më shumë edhe kur zbresin në tokë, që të ndalojnë në një pikë jo më të largët se 40-45 minuta nga aeroporti”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “turistët e e ajrit nuk janë kategori turistësh që përgjithësisht zbresin këtu dhe nisen për në Sarandë me makinë”.

Por, vijoi Rama, nga ana tjetër ajo që ndodh është se rritja eksponenciale e numrit të atyre që hyjnë përmes shumë portave kërkon një rritje eksponenciale të numrit të atyre që i presin, në kuptimin të numrit të atyre që punojnë në këtë sektor të mikpritjes që quhet turizëm.

“Aeroporti i Kukësit dhe ne do të jemi këtu përsëri se në 25 prill ne do të marrim besimin për të vazhduar të jemi këtu dhe do të jemi e do ta shohim sesi nga ky aeroport do të gjenerohen investime të tjera të njerëzve këtu, të emigrantëve, të çunave të Londrës, për të garantuar që vizitorët të kenë kush t’i presë, kush t’i ushqejë , kush t’i krijojë mundësinë për të fjetur, kur ka nevojë për një asistencë çfarëdo e me radhë”, – tha Rama./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.