Aeroporti i Kukësit do 50-60 ditë të bëhet operacional/ Kompanitë do bëjnë verifikimet, nuk e marrin dhëndrin në thes se ia çoi Saliu

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama duke komentuar deklaratën e Partisë Demokratike, e cila e cilësoi aeroportin e Kukësit një premtim të pambajtur, tha sot se “duhen 50-60 ditë mbasi një aeroport bëhet operacional që të bëhet procesi i publikimit dhe të miratohet si aeroport ndërkombëtar”.

Në fjalën e tij gjatë takimit me banorë të Tropojës, Rama tha se “fillon operacional si aeroport i brendshëm, sepse kompanitë e fluturimit bëjnë marrëveshje me aeroportin e ri, bëjnë verifikimet e tyre nuk e marrin derr në thes marrëveshjen, do vijnë të marrin nusen. Vetëm këtu mund të ndodhë ta marrin derr në thes dhëndrrin, se ia çoi Saliu”.

“Meqë e solli Saliu, po e marrim, le të thotë ai tropojsa, tropojsa, s’ka problem. Ai s’e ka mendjen fare edhe i falet, me thënë të drejtën, se dje bëri atë garën me makina. E deklaruan që ne sot do të shkojmë nga Saranda në Tropojë, shoqata e automobilistave të Shqipërisë dhe i falet se me gjithë atë rrugë që ka bërë. Ai i shkreti vjen nga Durrësi në Tiranë fle tek kryqëzimi, jo më të niset nga Saranda në Tropojë e të mbajë mend jeni tropojsa a kaubojsa, ai shyqyr që nuk tha kaubojs apo kaubojse”, u shpreh Rama.

“Megjithatë dua t’u them se pavarësisht se çfarë bëjnë këta mendoj që është në nderin e tropojanëve dhe tropojaneve që ta mendojnë këtë punë. E tha Petriti, nuk bëhet qameti, mendojeni një herë se ngelët duke çuar rryla në Tiranë. Mendoni një herë të çoni një burrë që kur çohet atje të flasë në emër të Tropojës por ju të jeni krenarë. Dakord me Saliun, s’po merremi, që Sali Berisha është lider kjo nuk diskutohet. I mbrapshtë sa të duash, po lider, kurse ky tjetri çfarë lideri është ky? E kanë nxjerrë atje si kukull që kurdiset”, – tha Rama.

Më tej Rama tha se “tropojanët u identifikuan me një figurë që është lider, tani me kë do identifikohen dhe çfarë do t’u bëjë PD-ja? Kur nuk bëri PD asgjë, nuk e vuri një tullë këtu me Saliun, e imagjinoni ju të zgjidhet Luli e të niset për Tropojë. Atij ka për t’i ngelur në mend udhëtimi për Tropojë e tani do i duket sikur Tropoja është në Australi”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.