10 miliardë euro investime, do të hapin perspektivën e dhjetëra-mijëra vendeve të punës

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në mandatin e  tretë do të investohen 10 miliardë euro, që do të hapin perspektivën menjëherë të dhjetëra mijëra vendeve të punës.

Në takimin me të rinjtë në kryeqytet, Kryeministri Rama tha se “nga 25 prilli deri në prillin e 2025 katër porta të reja për Shqipërinë nga deti, 4 porta nga qielli, për njerëz këto, për një numër njerëzish vizitorësh, turistësh që sot është e paimagjinueshme me kaq porta sa kemi. Plus dy porta të reja nga deti për mallrat, plus Skavicën në veri, TEC e Vlorës për gazin e lëngshëm, dy parqet me energji diellore në Karavasta dhe Spitallë, plus autostrada e re nga Muriqani në Milot dhe në Fier, pa llogaritur të tjerat”.

“Por duke llogaritur një mesatare modeste investimesh të huaja vjetore që i ka Shqipëria janë 10 miliardë euro, që do të hapin perspektivën menjëherë të dhjetëra mijëra vendeve të punës. Por janë 10 miliardë euro që do të investohen në projekte, të cilat kur të realizohen do të jenë projekte që do të kenë nevojë për vende pune cilësore”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “meqë këtu jeni ju patronazhistët e rinj dhe meqë ju doni të shkoni më tutje me këtë punën e kontrollit, ne do të bëjmë rrjetin në Shqipëri që ka filluar me bërthamën e parë tek stadiumi, por ndërkohë me ndërtimin e piramidës do të jetë zemra e këtij rrjeti”.

“Me bibliotekën e re të Korçës edhe aty ka filluar edhe në të gjitha qendrat e mëdha urbane të Shqipërisë ne do të kemi pjesë të këtij rrjeti ku vajzat dhe djemtë që nga mosha 14 vjeç dhe deri kur të jenë tek klasa e parë e patronazhimit tu japim gjuhën e kodimit, të teknologjisë dixhitale dhe tu japim mundësinë që këtu të kenë vendin e tyre të punës. Këtu të kenë bizneisn e tyre online jo në tregun shqiptar, porn ë tregun shqiptar dhe në tregun e gjithë rruzullit”, – tha Rama.

Më tej kryeministri u shpreh se “këtu edhe në kompjuterin më të afërt pa lëvizur nga vendi të kenë mundësinë të krijojnë punë për vete dhe për të tjerët, ata që janë edhe ë të zotë dhe të kenë rroga që sot i kanë realisht, nuk janë shumë mund të jenë 1000-1500, ne dimë disa qindra por ata nuk dalin, nuk janë të shfaqur, vajza e djem që nga kuzhina, aneksi, telefoni, fitojnë 1 mijë, 2 mijë, 3 mijë 5 mijë euro në muaj”.

/k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.