Vokshi në Kodër Kamëz: 25 prilli, betejë mes të mirës dhe të keqes

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/ Kandidatja e PD për qarkun Tiranë, Albana Vokshi ka zhvilluar sot takim me qytetarët në Kodër Kamëz.

Vokshi tha se e vetmja shpresë e Edi Rama qëndron tek presioni ndaj votuesve dhe shitblerja e votës.

“Ai nuk do mirëqenien e familjeve tuaja. Nuk ju respekton si qytetarë të lirë. Ai mendon se ju e keni një çmim, se vota juaj ka një çmim dhe si shtet bandë del natën në errësirë duke hedhur asfalt  elektoral, duke trokitur në shtëpi për të ofruar certifikata legalizimesh natën, duke ofruar vende pune një mujore, pasi pas zgjedhjeve do t’i hedhë prapë në rrugë, duke ofruar kuti me ndihma sepse aq vlen një votë për Edi Ramën. Ka vërsulur shtetin si bandë”- u shpreh Vokshi.

Duke kërkuar angazhimin e të gjithëve në pak ditët që kanë mbetur deri në zgjedhje, kandidatja e PD theksoi rëndësinë që këto zgjedhje kanë për familjet shqiptare, pavarësisht përkatësisë së tyre politike.

“Duam mbështetjen tuaj të votoni numrin 9, Partinë Demokratike. Kjo Nuk është betejë mes të majtës dhe të djathtës. Nuk është mes socialistëve dhe demokratëve, as betejë mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Është betejë mes të mirës dhe të keqes, mes zhvillimit dhe prapambetjes. Mbylljani njëherë e mirë derën dështimit të Edi Ramës“- tha Vokshi. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.