“Vaksinuam më shumë se 300 mijë njerëz”/ Sezon më i lehtësuar turistik, nuk do ta mbyllim kufirin as nga Kosova dhe as nga Maqedonia e Veriut

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama duke folur për vaksinimin deklaroi sot se të hënën fillon vaksinimi i të gjithë stafeve të hotelerisë.

Në lidhje me hapjen në prag të sezonit turistik, Rama tha se “kemi vaksinuar më shumë se 300 mijë njerëz. Jemi në fashën më të lartë të tabelës së klasifikimit në Europë në të gjithë Europën, përfshirë dhe vende të BE-së për ritmin e vaksinimit”.

“Kjo është një histori historike, sepse asgjë nuk ishte e thënë që të ndodhte kështu. Mjafton të shikojmë vendet e tjera afër nesh nuk po hyjnë dot në vaksimim masiv, akoma, sepse nuk kanë vaksinë. Dhe vaksinat u siguruan me politikë dhe me lidership, nuk erdhën nga qelli”, tha Rama duke shtuar se, “sezoni i ri turistik do jetë më i lehtësuar natyrisht”.

Ai shtoi se e sheh me shqetësim atë që ndodh në Kosovë, dhe se shpreson që Kosova të përshpejtojë procesin e vaksinimit. “Ideja është se nuk do ta mbyllim kufirin as nga Kosova dhe as nga Maqedonia e Veriut”, tha Kryeministri.

Për sa i përket lehtësimit të masave, Rama tha se “shpresojë të mos shohim pasojat e kësaj që po bën Lulzim Basha. Do kemi pasoja, do kemi rritje të infektimeve shumë shpejt. Mendoj që pas rreth 10 ditësh, sipas ekspertëve mund të ketë rritje të të infektuarve, shpresoj të mos jetë e lartë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.