Spaho: Në 25 Prill shqiptarët votojnë ndryshimin historik për të ardhmen europiane

TIRANË, 15 prill /ATSH – I. Vata/ Koordinatori i PD-së për qarkun e Korçës, Edmond Spaho ka zhvilluar sot një takim në Çaushli dhe Blace të Korçës.

Spaho u tha fermerëve dhe banorëve se qeveria Basha ka një plan konkret të mbështetjes së sektorit të bujqësisë, si bazë e ekonomisë së vendit, përmes subvencioneve të konsiderueshme, uljes së ndjeshme të taksave dhe tarifave për zhvillimin social të familjeve në fshat.

Po ashtu, Spaho sqaroi se subvencionet prej 100 milionë euro në vit do të shkojnë direkt tek fermeri që investon tërë mundin e jetës tek prodhimet bujqësore. Financimi me 50 milionë euro në vit në mekanikën bujqësore, sistemin e vaditjes dhe kullimit do modernizojnë bujqësinë shqiptare. Vendimi i parë i Bashës kryeministër do të jetë heqja e taksës së qarkullimit prej 320 lekësh, në mënyrë që çmimi i karburantit të ulet.

Duke shpjeguar politikat e zhvillimit social-ekonomik, Spaho konfirmoi sërish dyfishimin e ndihmës ekonomike, rritjen e pagave dhe pensioneve prej 25 % dhe uljen e ndjeshme të pagesave të prapambetura të sigurimeve shoqërore, të cilat këto vite rëndojnë së tepërmi të ardhurat e një familjeje në fshat.

“Në 25 Prill vota për numrin 9, për Partinë Demokratike nuk është vetëm për fitore politike, por ajo është vota për ngritjen ekonomike të familjeve shqiptare në fshat dhe qytet, është votë e ndryshimit historik për një të ardhmen europiane të Shqipërisë”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.