Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm, energji, eksporte bujqësore, e shoqëri dixhitale


TIRANË, 17 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Gjirokastra ku e vijoi turin e tij elektoral theksoi rëndësinë e investimeve që ka kryer qeveria në këtë zonë, ndërsa nuk la pa komentuar edhe deklaratën e kreut të PD-së, që do të ishte në të gjithë vendin nga Tropoja në Sarandë përgjatë këtyre 9 ditëve.

“Rrugës për këtu një mikesha ime këtu, një zonjë me moshë të avancuar më shkruante: nuk vij dot o xhan po na ka sfiduar Luli. Po çfarë sfide ka bërë- e pyeta? Ka thënë për 9 ditët e fundit do të bëj nëntë takime nga Tropoja në Sarandë. Ç’është ky, fle nëntë vjet, zgjohet 9 ditë dhe na sfidon ne me 9 orë punë, – i ishte drejtuar ajo Ramës “, u shpreh Rama.

Sipas Ramës, disa merren me punë dhe disa me fjalë.

“Unë jam këtu me Mirelën, Bledin, Laertin e Kiarën e miq të tjerë me kokën lart, sepse pavarësisht se kemi patur pothuaj katër vite të jashtëzakonshme, sot Gjirokastra, Tepelena, Libohova, Dropulli, Memaliaj janë shumë më mirë se sa 4 vite më parë, ashtu sikundër sot Përmeti ku në hyrje ka një tabelë: në Përmet gjen çdo gjë veç detit është pak hapa larg lidhjes edhe me detin”, u shpreh kryeministri.

“Falë punës së jashtëzakonshme që kemi bërë së bashku, Tepelena nuk është më një xhep që i kalonim anash, as thjeshtë e vetëm një ndalesë e bukur, siç u bë gjatë mandatit të parë. Për kryeministrin, sot Tepelena është udhëkryqi ku kalojnë të rrugët që të çojnë në bregun e Jonit dhe të tëra rrugët që të çojnë në Gjirokastër nga bregu i Jonit shumë shpejt edhe në Korçë nga bregu i Jonit”, tha Rama.

“Sot falë investimeve që kemi bërë kemi një pellg shumë më të madh të lidhur në diversitetin e vet me të gjitha relievet e natyrës së mrekullueshme shqiptare nga kaltërsia e detit deri në bardhësinë e maleve për t’ju ofruar njerëzve, mundësira të reja, shanse të reja tanimë që po dalin nga tuneli i mallkuar i pandemisë. Sot ne mund ta themi me plot gojën se Shqipëria është gati të vazhdojë ngjitjen dhe të arrijë në majë për tu bërë kampione e Ballkanit në turizëm, energji, eksporte bujqësore, e shoqëri dixhitale”, deklaroi Rama.

Sipas tij, të gjitha këto janë rrugë të nisura e kantiere, janë një plan i financuar qeverisëse, jo program elektoral.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.