SHBA – NATO: Rusia të mos e kufizojë lëvizjen e lirë në Detin e Zi

UASHINGTON, 17 prill /ATSH-AA/ – NATO shprehu shqetësim rreth planeve të Rusisë për të kufizuar hyrjen në disa pjesë të Detit të Zi dhe ngushticës Kerch.

“Ky do të ishte një veprim i pajustifikuar dhe pjesë e një modeli më të gjerë të sjelljes destabilizuese nga Rusia”, theksoi në një deklaratë zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.

Ajo i bëri thirrje Rusisë të sigurojë hyrje të lirë në portet ukrainase në Detin Azov dhe të lejojë lirinë e lundrimit.

“Rusia ka rritur praninë e saj ushtarake në dhe rreth gadishullit që kur e aneksoi Krimenë në mënyrë të paligjshme”, theksoi Lungescu.

“Aleatët e NATO-s nuk e njohin dhe nuk do ta njohin aneksimin e paligjshëm të Krimesë”, shtoi ajo.

Në javët e fundit, Rusia ka mbledhur forca të gatshme për luftime pranë kufirit ukrainas, që konsiderohet nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, si mbledhja më e madhe e trupave ruse që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në vitin 2014.

Forcat ruse hynë në Gadishullin e Krimesë të Ukrainës në shkurt 2014, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin zyrtarisht e ndau rajonin në dy subjekte federale të Federatës Ruse muajin tjetër.

Turqia dhe SHBA, si dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e vlerësojnë aneksimin si të paligjshëm, ashtu si BE, e cila vendosi sanksione ndaj Rusisë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.