Rama publikon pamje se si do transformohet Porti i Durrësit. Investimi 2 miliard euro e kthen në Marinën më të madhe në Mesdhe

TIRANË, 17 prill/ATSH/-Porti i Durrësit do të transformohet në Marinën më të madhe në Mesdhe, një investim, më i madhi i huaj në Shqipëri prej 2 miliardë eurosh nga Emaar Group, një prej kompanive më të mëdha të botës, me vepra ikona të turizmit në botë, siç janë Burj Khalifa apo Dubai Opera.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga projekti i Portit të Durrësit që do të quhet Marina e Jahteve.

Në prezantimin e masterplanit për portin e ri turistik që do të jetë më i madhi në Ballkan, Rama tha se projekti është i ndarë në 5 faza dhe për 6 vite do të jetë i prekshëm për të gjithë dhe se do të hapen 4 porta në bregdetin tonë nga Adriatiku në Jon.

Në nëntor të vitit të shkuar, qeveria shqiptare dakordësoi një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për transformimin e hapësirës portuale të Portit të Durrësit, një investim i cili pritet të transformojë totalisht pamjen dhe kapacitetin e këtij porti, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale dhe kombëtare.

Marina turistike e parashikuar, pritet të ketë hapësirë dhe kapacitete dyfish më të mëdha, krahasuar me marinën më prestigjioze në Mesdhe deri më tani, që është ajo e Porto Montenegros.

Porti i ri pritet të ketë infrastrukturë të përmirësuar për ankorimin e mjeteve lundruese, çka do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në vend.

Sipërmarrësi Mohammed Alabbar u shpreh falenderues për mundësinë që i është dhënë për të ndërtuar diçka në Shqipëri. Alabbar deklaroi se përgjatë eksperiencës së tij 25 vjeçare ka bërë mjaft gabime të vlefshme, të cilat do ta ndihmojnë që ky investim të bëhet me shumë dashuri dhe kujdes.

Kompania Emaar, përveç transformimit të hapësirës portuale, synon një mori investimesh transformuese, duke përfshirë rindërtimin e pjesës së bregut të detit, ku do të ndërtohen dhe ambiente argëtuese, qendra tregtare, apartamente e ndërtime hotelerie me 5 yje.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku u shpreh se ky projekt ka dy kolona të rëndësishme, njëra prej të cilave është dhe ndërtimi i Portit të ri të mallrave të Durrësit në zonën e Porto Romanos, me të gjitha parametrat e kërkuara nga Bashkimi Europian, investim që do të mbulohet nga Ministria e Infrastrukturës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.