“Po dalim nga tuneli i pandemisë nga vaksinimi masiv”/Shqipëri në fashën e lartë të klasifikimit të vaksinimi

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne po dalim nga tuneli i pandemisë, jemi lartë në fashën e parë për vaksinimin masiv”.

Ai tha se “ju po i shihni gjyshet dhe gjyshërit tuaj se janë çliruar nga ankthi, s’kan më frikë t’u përqafojnë, s’keni më frikë t’i përqafoni, nuk janë më mbrapa derës dujke ia çuar ushqimin te pragu, gatuajnë lirish gjyshet për ju, falë vaksinimit masiv”.

“Vaksinimi masiv, po shikoja klasifikimin para tre ditëve, ne jemi lartë në fashën e parë, jemi në shoqëri me disa vende super të zhvilluara dhe kemi mbrapa shumë vende super të zhvilluara”, tha Rama.

Rama shtoi se vendet e rajonit janë në fund, si Bosnja, Maqedonia dhe Kosova ndërsa ne kemi nis vaksinimin masiv dhe po dalim nga tuneli i pandemisë.

“Çfarë do të thotë kjo? Pa lidership, pa karakter, pa luftë ditë e natë, pa këmbëngulje s’do ishte bërë kjo. Se ne nuk jemi Gjermani dhe Franca  që drejtojnë botën, ne jemi Shqipëria. Dhe e pashë sot prap Bosnja, Maqedonia, Kosova janë në fund. Dhe është forca e lidershipit është forca e karakterit, është gatishmëria për të luftuar ditë e natë, është durimi i madh kur të duket sikur s’ka dalje që të nxjerrë aty ku ke vendos të dalësh dhe patjetër që mund ti bëjmë tani që jemi në dalje të këtij tuneli”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.