“Më 25 prill vendosim “meritën” bazë të bashkëjetesës sonë”/ Rama tregon historinë e ekselentes që studion në fakultetin që ka dëshiruar

TIRANË, 17 prill/ATSH/- “Sot në universitet dhe në administratë hyn kush e meriton dhe jo kush ka njohjet e duhura. Sot infermierët dhe mësuesit garojnë sipas meritës dhe jo sipas njohjeve dhe parave që kanë”, u shpreh sot kryeministri Rama nga Durrësi gjatë takimit me të rinjtë.

Rama, duke marrë shembull historinë e Bojkenës, nënvizoi se para 7 viteve askush nuk e imagjinonte se në universitet do të mund të hyje sipas meritës.

Ai tha se 25 prilli është pikërisht një votë për këtë nocion thelbësor të bashkëjetesës, “meritën”.

“Unë nuk e njihja Bojkenën dhe e dëgjova në një link, që ma nisën drejtuesit e fushatës. Dhe sot pata fatin dhe nderin ta dëgjojë këtu. Babai i saj është punëtor ndërtimi. Nëna e saj, është punonjëse në një rrobaqepësi. Bojkena sot studion në fakultetin që ka dëshiruar dhe merituar. Por, nëse Bojkena do të kishte trokitur në dyert e universitetit, 5-6 vite më parë ose dhe më parë, Bojkena nuk do të kishte arritur dot të ishte në auditorin ku është sepse deri para 5-6 vitesh, kush është këtu student që ka mbaruar universitetin së fundmi, apo dhe më herët, e di shumë mirë çfarë stresi i madh ka qenë ishte të hyje në Universitet si fëmija e një punëtori të ndërtimit dhe një nëne që punon në rrobaqepësi. Patjetër që që gjatë rrugës për të hyrë në auditorin ku ty të takonte, do të parakalonte një djalë ministri, do të parakalonte një vajzë deputeti, do të parakalonte mbesa e një biznesmeni. Do të parakalonin njerëz, bashkëmoshatar, që nuk kishin ndenjur natën pa gjumë për të mësuar, të cilëve, në shtëpi nuk i kishte munguar asgjë, mund të kishin dhe veturën e tyre personale, sot kjo është e shkuara”,- garantoi Rama.

“Unë jam sot shumë krenarë për faktin, që ne bëmë atë të cilën ma thoni, ma thoni, kush e imagjinonte në Shqipërinë e para 10 viteve, që hyrja në universitet bëhet me radhën e meritës së gjithë secilit dhe jo me radhën e shkuarjes në zyra të atyre që kanë më shumë pushtet. Sot unë jam krenar që e njëjta gjë vlen edhe për mësuesit dhe mësueset, e njëjta gjë vlen edhe për infermierët dhe infermieret. E njëjta gjë vlen edhe për ata të cilët mbarojnë universitetin që kanë një mbiemër që nuk të thotë asgjë, pavarësisht se prindërit e tyre janë jo vetëm të panjohur janë dhe të varfër, pavarësisht se familja e tyre jeton në qytet apo majë të malit, hyjnë dhe punojnë në administratën shtetërore të Shqipërisë. Ekselentët, natyrisht këto sfida nuk janë mjaft për të thënë që çdo gjë është në rregull, tani çfarë do? Përkundrazi, pikërisht se këto nuk janë mjaft, ne duhet të vazhdojmë, ne duhet të vazhdojmë dhe ne kemi misionin që vendosim përfundimisht më 25 prill diçka që është themelore në bazën e bashkëjetesës sonë, dhe në bazën e përpjekjeve të çdo individi, meritën. Meritën përmes punës”,- tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.