Mbi 7.500 efektivë policie në terren për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

TIRANË, 17 prill/ATSH/ Mbi 7.500 efektivë të policisë do të jenë në terren për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 25 prillit në Shqipëri.

Drejtori i Rendit Publik, Ylli Vasili, gjatë një interviste televizive, u shpreh se Policia do të hartojë edhe një regjistër ku do të shënohet çdo vepër penale në fushën zgjedhore i cili do të jetë i aksesueshëm nga të gjithë.

“Përgatitjet e policisë për këto zgjedhje kanë nisur që në dhjetor të vitit të shkuar kur kanë nisur edhe trajnimet e stafit. Në këtë program janë përcaktuar qartë katër fazat. Faza parazgjedhore, përgatitore. Faza e dytë, garantimi i sigurisë publike gjatë zgjedhjeve dhe faza e tretë e cila ka të bëjë me garantimin e rendit dhe sigurisë në ditën e votimit dhe faza e katërt lidhet me ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë transportimit të materialeve”, – tha Vasili.

“Kemi plan bashkëveprimi me Gardën e Republikës, e cila së bashku do të bashkëveprojmë për të ruajtur personalitetet e larta shtetërore gjatë takimeve elektorale. Po ashtu plan bashkëveprimi dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, për sigurimin e të gjitha objekteve të rëndësisë shtetërore”, – theksoi Vasili.

Në ndryshim nga zgjedhjet e kaluara KQZ ka kërkuar nga policia që të mos përfshijë në efektivët që do të angazhohen në zgjedhje punonjës me më pak se 4 muaj eksperiencë. Po ashtu nuk do përfshihen as forcat komando dhe efektivët e policisë kriminale, si edhe nuk do të lejohen grumbullimet e qytetarëve deri në 150 m pranë qendrave të votimit. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.