Kush voton LSI-PD derrin maç do marrin, Ilirin lart dhe Saliun poshtë, ose e kundërta

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama tha sot nga Gjirokastra se, “kush voton LSI-PD derrin maç do marrin, Ilirin lart dhe Saliun poshtë, ose e kundërta”.

Rama tha se ” sot në darkë do më shikoni tek Fevziu i vërtetë, është djali i xhaxhait të tij, por ky tjetri i ka marrë studion, por i vërteti është ky sonte dhe aty takova një fallxhore. Mbas emisionit, fallxhorja tha, ngele duke i thënë Lulit ndau, po jua ke parë numrat ti?”.

“Çfarë numash? – i thashë. Dhe më dha letrat. Ҫfarë numri është ky, 6?Kështu – i thashë edhe unë. Jo – tha, – është 9. Nuk ke faj, – tha, edhe ty të kuptoj. Prandaj, edhe ngaqë nuk i ka dhënë dum kësaj pune, njerëzimi ka rënë dakord, – tha, – që ky është numri i djallit, 69. Vajte tek 6? 9 ke. Vajte tek 9? 6 ke. More 69? Të mori djalli dhe të çoi në djall. Unë jam i bindur, jam i sigurt, nuk e diskutoj fare, ju që jeni aty keni ardhur nga Kuçi dhe unë ju dua kaq shumë juve kuçiotëve, ju dua kaq shumë juve tepelenasve, kurveleshasve, lebërve dhe e dini pse ju? Se ju i bini shkurt fare. Ju i fusni 12 dhe nuk merreni as me 6, as me 9. Ju e keni numërimin të thjeshtë, nuk e keni 1,2,3,4,5,6. Ju e keni 1,2, 12 e mirupafshim. Më tha, prit ta mbaroj, pasi i thashë dakord, e bukur është kjo si lojë fjalësh. Kështu mund të kujtoni dhe ju, – tha, – por unë jua bëra pikërisht se nuk është lojë fjalësh. Po çlidhje ka shorti? –  i thashë. Shorti, – tha, – nuk është as 6, as 9, janë ata të dy, e thua vetë. Ja derri maç, njëri me kokë lartë, tjetri me kokë poshtë, por i kthen kështu, Iliri lart, Saliu poshtë; Iliri poshtë, Saliu lart”, tha ai.

Ai shtoi se kështu vajti kjo punë. Njëri del thotë presidenti, tjetri thotë doktori. Kështu që kush voton 6 dhe 9, derrin maç ka.

“Të gjithë atyre që po na ndjekin, se janë shumë që na ndjekin nga i gjithë qarku dhe jashtë qarkut dhe i bëj thirrje të gjithë socialistëve që në këto kushte të jenë prezent në këto takime, jo fizikisht, por përmes Facebook-ut, duke filluar nga atyre në Shkodër, demokratëve të Shkodrës i them, derrin maç keni pasur 30 vjet, derrin maç do keni po nuk votuat Partinë Socialiste. Të gjithë ata që besojnë, nuk janë shumë e të gjithë ata që do votojnë për premtimet e Lulit, mbas zgjedhjeve derrin maç do kenë”, tha Rama.

Po ashtu, Rama u bënë thirrje sipërmarrësve dhe biznesit që të votojnë taksën zero të PS-së dhe jo derrin maç të Saliut dhe Ilirit.

“U them sipërmarrësve, biznesmenëve të vegjël, doni taksa zero apo doni derrin maç?U them atyre që e kanë pagën deri në 400 mijë lekë, doni që në 1 janar të 2022-it pagat deri në 400 mijë lekë të kenë zero takes, apo doni derrin maç deri në 2025-ën?Atyre që e kanë pagën minimale 300 mijë lekë, u them, e doni 400 mijë deri në 2025-ën, apo deri në 2025 do mbani derrin maç?Atyre që kanë fëmijët për të rritur dhe duan t’i çojnë në shkollë, u them, doni të vazhdojmë që fëmijët t’i mësojmë me librat e Oxford, Cambridge, Pearson, që i futëm në arsim, duke hequr ato paçavuret e derrave maç, apo doni prap derrin maç për fëmijët tuaj?Atyre që i kanë fëmijët ekselentë, u them, doni që fëmijët të venë në universitet dhe të ulen aty ku u takon pavarësisht se juve nuk ju njeh njeri, apo do jua lini fëmijëve derrin maç, kur të shkojnë të trokasin në dyert e universitetit? Atyre që duan të ikin, ju them, doni që universiteti i Gjirokastrës, universiteti i Shkodrës, universiteti i Korçës, i Durrësit, Elbasanit, Vlorës, t’i bashkojmë me universitetet të huaja, të fusim programet e të vëmë diplomën e atyre universiteteve dhe ju të studioni këtu me shumë më pak shpenzime e të merrni atë diplomë dhe të keni po aq aksione sa kanë bashkëmoshatarët tuaj, apo doni derrin maç?”, tha ai.

Në vijim, Rama tha se “kishte vajtur Luli në Peshkopi dhe u kishte thënë, do ju hap universitetin në datë 26 prill. E kuptoni, universitetin në Peshkopi që mezi e mbyllëm. Unë shkova e ju thashë se ne nuk do t’ju hapim universitetin në Peshkopi. Kush do universitet në Peshkopi të votojë për Lulin dhe derrin maç do marri.Kush do derrin maç nuk e pengojmë dot, se ka edhe njerëz që e duan derrin maç. Shikojeni, goxha burrë, në letër duket dhe goxha i urtë, por, po e pe në ekran, kuptohet që është i çmendur, por derrin maç. Miqtë e mi, me gjithë zemër ju them se e shoh siç ju shoh juve këtu, se sa lart do ngjitemi në këtë dekadë dhe se në çfarë pike tjetër do të jemi në 2025-ën. Ju them që unë dua të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve, i të gjithë njerëzve që besojnë tek puna, i të gjithë njerëzve që besojnë se ky vend ka një arsye, pse Zoti e ka qëndisur kaq bukur. Duket sikur e ka bërë ditën e diel që e ka pushim, e ka marrë avash-avash, që nga Alpet deri poshtë në Jon. Por ka edhe një arsye që mbi gjithë këtë qëndisje të perëndisë, ky vend është bombarduar nga kakërdhitë e politikës me shekuj e me dekada; E ka bërë Zoti, nuk e ka lënë robi”.

“Tani ne duhet ta ndajmë mendjen. Do bëjmë atë që Zoti ka parë kur ka qëndisur këtë vend, apo do vazhdojmë të bëjmë atë që robi ka bërë sa herë e ka marrë besimin nga ky vend. Unë them të bëjmë të parën dhe ju siguroj se ne jemi mjaftueshmërisht të fortë për ta bërë të parën e ne do ta bëjmë të parën, siç thonë djemtë e Labërisë, 1, 2, 12, nuk ka numra të tjerë në mes”, tha në fund Kryeministri Rama.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.