Kryemadhi: Vlora sot më shumë se kurrë ka nevojë për të rinjtë, e kanë shfrytëzuar dhe përdorur si trofe

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë në Vlorë.

Në fjalën e saj, Kryemadhi tha se Vlorën gjithmonë e kanë parë si një trofe, e kanë parë si një trofe për ta përdorur dhe shfrytëzuar. E kanë shfrytëzuar për politikë, për tu pasuruar, për të manipuluar, grabitur, por kurrë nuk i kanë dhënë Vlorës atë që i takon.

“Sot më shumë se kurrë Vlora ka nevojë për njerëzit e saj, sot më shumë se kurrë Vlora ka nevojë për të rinjtë dhe të rejat e saj. Do të ftoja të gjithë socialistët, ata socialistë të ndershëm që në 8 vite të pushtetit të rilindjes, e përdorën pushtetin e tyre e tjetërsuan pushtetin e tyre, e grabitën pushtetin e tyre, për të pasuar atë që është çdo gjë dhe më e rëndësishme, vlerat e tyre. Prandaj socialistët kanë mundësi të votojnë numrin 6, vetveten e tyre. Por do të ju bëja thirrje të gjithë ju djemve dhe vajzave që jeni në Vlorë, të gjithë djemve e vajzave që jeni në rrethinat e Vlorës, të votojnë djemtë e vajzat e tyre. Votoni numrin 6, votoni LSI, sepse duke votuar LSI keni votuar për të ardhmen e familjeve tuaja”, tha ajo.

Kryemadhi tha se, “ju jap fjalën që nuk do ti ndahem bajlozit të Rilindjes që është në grahmat e fundit, atij që shkatërroi çdo vlerë socialiste, por nuk do ti ndahem as dyshes së balerinave të bandës së ‘Astirit’, Afrim Qendros dhe Damian Gjiknurit dhe jua bëj të qartë që metodën e blerjes së votave që bënte Afrim Qendro kur ishte Drejtor në ndërmarrjet e Bashkisë së Edi Ramës nuk e implementon dot në Vlorë, sepse djemtë dhe vajzat e Vlorës, burrat dhe gratë nuk shesin identitetin e tyre, emrin e tyre, të ardhmen e fëmijëve të tyre për të mbuluar bandën dhe vjedhjet e ‘Astirit’ dhe aq më shumë të të gjithë bandës së Rilindjes që grabiti të ardhmen e Shqipërisë”.

“Sot na ndajnë tetë ditë nga dita e zgjedhjeve. Tetë ditë janë edhe shumë, por janë edhe pak. Janë pak që të trokasim derë më derë, në të gjithë këto pallatet që ju shikoni këtu, buzë Lungomares, ku gjysmat janë të boshatisura, sepse gjysmat janë larguar dhe disa të tjerë jetojnë me qira, por nuk votojnë këtu. Janë shumë për të hyrë në rrugicat dhe lagjes e Vlorës që janë të braktisura nga qeverisja, por janë shumë pak për të gjithë ju mbështetësit e LSI-së, për të gjithë strukturat e LSI-së për të punuar dhe për të pasur atë rezultat që ne kemi qëllim në vetvete për të përmbysur dhe për të sjellë ndryshimin e madh në Shqipëri dhe ndryshimi vjen nga Vlora”, përfundoi Kryemadhi. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.