Kryemadhi: LSI i ka borxh Fierit, Shqipëria nuk ka nevojë për punëtorë nga vendet e huaja

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot një takimin në Fieri ku u bëri thirrje që të votojnë LSI.

Ajo theksoi se LSI-ja ka një borxh dhe një detyrë të madhe për fëmijët e vegjël, për të gjithë këta vogëlushë që sot janë këtu. “Fëmijët tuaj janë me ju, vajzat e vogla, djemtë tuaj të vegjël, janë këtu me ju, sepse ju e dini që LSI-ja e mban fjalën. Sepse ju e dini që LSI-ja do ta bëjë Shqipërinë shtëpinë tuaj, shtëpinë e shqiptarëve”, tha Kryemadhi.

“Kryeministri në ikje, i cili ka mbushur fasadat e të gjithë Shqipërisë me fytyrën e tij të mbuluar, sepse nuk ka guximin të tregojë fytyrën e tij të vërtetë, sepse është fytyra e mashtrimit dhe fytyra e grabitjes së të ardhmes së shqiptarëve. Ai ka zaptuar sot çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, ai ka zaptuar sot çdo moment të jetës shqiptare. Por ai më 25 prill, do të largohet duke marrë votën tuaj për numrin 6 në kutinë e votimit, sepse ju do të votoni për këtë ekip të mrekullueshëm”, u shpreh ajo.

Po ashtu, Kryemadhi tha se Shqipëria nuk ka nevojë për punëtorë nga vendet e huaja por ka nevojë të rrisë pagat e punëtorëve shqiptarë.

“Shqipëria sot ka nevojë për të krijuar më shumë hapësira, më shumë fuqi ekonomike për gratë dhe kryefamiljaret tona. Sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë t’i japim dorën njeri tjetrit sepse duke qenë solidar, ne jemi socialistët e vërtetë, ne jemi ata që mbajmë flamurin e kuq, ne jemi ata që nuk tradhtojmë njerëzit tanë. Ne jemi ata që mbajmë premtimet dhe ne jemi ata që i mbajmë njerëzit dhe i qëndrojmë angazhimeve”, u shpreh Kryemadhi. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.