Eksporti i grupit të agropërpunimit, 4,040 milionë lekë në marsin e këtij viti

TIRANË, 17 prill/ATSH/ Eksporti i grupit të agropërpunimit llogaritet 4,040 milionë lekë në marsin e këtij viti duke shënuar rritje krahasuar me marsin e vitit të shkuar kur u eksportuan 3,122 milionë lekë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi publikoi statistikat zyrtare.

Referuar të dhënave të publikuara eksportet e produkteve bujqësore kanë arritur në 400 milionë euro në fund të vitit 2019 nga 100 milionë euro që llogariteshin në fund të vitit 2013, ndërsa angazhimi I qeverisë është që eksportet të shkojnë në 1 miliardë euro në fund të vitit 2025.

Ndërkohë një raport i publikuar së fundmi nga FAO tregon se Shqipëria është renditur e para në rajon, përfshirë edhe Kroacinë për prodhimin e perimeve duke lënë pas Bosnje Hercegovinën, Serbinë e Maqedoninë e Veriut.

Në bazë të raportit të publikuar nga FAOSTAT, Shqipëria rezulton e para në rajon përfshirë Kroacinë për prodhimin e kastravecit, domates e shalqirit, ndërsa renditet e dyta sa i përket prodhimit të frutave.

Shqipëria, sipas FAO-s, ka prodhuar në total 942.2 mijë ton perime. Sasia më e madhe e prodhimeve bujqësore dominohet nga domatja që për vitin e kaluar fermerët prodhuan mbi 299 mijë ton, teksa nuk mbetet pas prodhimi i produkteve të tjera si bostanorët.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.